Analiza Postuar më 25 Shtator 2025, 12:11

Izraeli, India dhe Egjipti “zgjedhin” Shqipërinë/ Vendet me rritjen më të lartë të numrit të hyrjeve për 8-mujorin e vitit 2025

Nga Xhorxhina Deda

Izraeli, India dhe Egjipti “zgjedhin” Shqipërinë/ Vendet

Shqipëria po vijon të përjetojë suksesin e ri turistik me shifra që tregojnë jo vetëm rritje të përgjithshme, por edhe zhvillime të veçanta që e bëjnë panoramën e hyrjeve të huaja më të larmishme dhe më interesante se kurrë. Nga janari deri në gusht të vitit 2025, në vend kanë hyrë mbi 8.9 milionë vizitorë, një rritje prej 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pesha më e madhe, si zakonisht, i takon Kosovës. Më shumë se 3.3 milionë shqiptarë të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri në tetë muajt e parë të vitit, por rritja është thuajse e pandjeshme, vetëm 0.6%. Kjo tregon se ky treg është tashmë i konsoliduar dhe nuk ka shumë hapësirë për shpërthime të reja. Në të kundërt, Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 10.1%, ndërsa Greqia edhe më lart, me 11.5%. Mali i Zi mbetet në rritje të lehtë me 4.6%. Fqinjët mbeten shtylla kryesore e turizmit hyrës në Shqipëri, duke ruajtur peshën tradicionale në këtë treg.

Në Europën Perëndimore ka ndodhur një surprizë e madhe, Franca ka rritur hyrjet me 43.9%. Një rritje e tillë e vendos Francën mes tregjeve më të gjalla të momentit. Po aq domethënëse është edhe Gjermania, që ka shënuar rritje prej 21% dhe ka kaluar shifrën e 300 mijë vizitorëve. Mbretëria e Bashkuar dhe Hollanda gjithashtu kanë shënuar ecuri të mirë, ndërsa Austria, Belgjika dhe Çekia ruajnë një rritje të qëndrueshme. Megjithatë, jo çdo treg europian ka reaguar njësoj. Polonia, që në pamje të parë të jep përshtypjen e vendeve me rritje, në fakt ka rënë me mbi 10%, duke shënuar një humbje të dukshme në krahasim me vitin e kaluar. Edhe Rumania ka rënë me 7.5% dhe Spanja me 4.3%.

Tregjet e reja kanë sjellë befasitë më të mëdha. Izraeli është shembulli më i qartë, nga vetëm 6,822 hyrje në vitin 2024, numri i vizitorëve izraelitë ka kaluar në 45,758, duke shënuar një rritje të pabesueshme prej 570.7%. Ky shpërthim tregon për hapjen e një tregu me potencial të madh, që deri dje ishte thuajse inekzistent. Po aq mbresëlënëse janë edhe shifrat nga India, ku hyrjet janë rritur me 69.5%, si dhe nga Egjipti, që ka shënuar 67.9%. Edhe Danimarka ka treguar një prirje të fortë, me një rritje prej 56.2%, duke dëshmuar se turistët nordikë po e zbulojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë. Kina, nga ana tjetër, ka sjellë një rritje të qëndrueshme prej 27.9%, duke e përforcuar rolin e saj si një nga tregjet më premtuese të së ardhmes.

Nga Amerika, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rritje me 7.2%, Kanadaja me 14.4% dhe Australia me 8.8%, ndërsa një tjetër surprizë vjen nga Amerika e Jugut, ku Argjentina është rritur me 38.6% dhe Brazili me 16.4%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat