Analiza Postuar më 5 Janar 2026, 10:39

Integrimi në BE, shqiptarët më optimistët në Ballkan/ RCC: 43% e popullsisë presin anëtarësimin në 2030. Serbia, me perceptimin më negativ

Nga Eldiona Serani

Integrimi në BE, shqiptarët më optimistët në Ballkan/

Anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një nga synimet më madhore për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht, pothuajse të gjitha shtetet e rajonit po përpiqen të bëjnë hapa përpara në procesin e integrimit, përmes hapjes së negociatave dhe mbylljes së kapitujve të kërkuar nga Brukseli. Në këtë kuadër, Balkan Barometer ka publikuar të dhëna nga anketa e tij më e fundit, e cila pasqyron perceptimin e qytetarëve mbi kohën kur ata mendojnë se vendi i tyre do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Sipas anketës, 43% e shqiptarëve e shohin Shqipërinë si pjesë të Bashkimit Europian në vitin 2030, përqindja më e lartë në të gjithë rajonin. Ndërkohë, 27% e të anketuarve mendojnë se anëtarësimi do të ndodhë në vitin 2035. Shumë më e ulët paraqitet përqindja e atyre që e shohin këtë proces të realizueshëm para dhe pas vitit 2040, respektivisht 11% rreth vitit 2040 dhe 8% më vonë. Nga ana tjetër, 8% e qytetarëve shqiptarë nuk besojnë se Shqipëria do të bëhet ndonjëherë pjesë e Bashkimit Europian.

Por si paraqitet perceptimi në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor? Në shumicën e shteteve të rajonit, anëtarësimi në vitin 2030 nuk shihet si një skenar i mundshëm nga shumica e qytetarëve. Mali i Zi dhe Kosova renditen pas Shqipërisë për sa i përket optimizmit, me nga 39% të të anketuarve që besojnë në anëtarësimin brenda kësaj dekade. Në anën tjetër të spektrit qëndron Bosnje& Hercegovina, ku vetëm 9% e qytetarëve e shohin të mundur hyrjen e vendit në familjen europiane, përqindja më e ulët në rajon.

Ndërkohë, Serbia rezulton të jetë shteti me përqindjen më të lartë të qytetarëve që mendojnë se vendi i tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Europian. Në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe Maqedonia e Veriut dhe Bosnje& Hercegovina, ku përkatësisht 25% dhe 20% e të anketuarve shprehen skeptikë për të ardhmen europiane të vendeve të tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat