Analiza Postuar më 10 Gusht 2026, 11:41

Inflacioni ngjitet në 3.4% në Korrik/ Ushqimet, qiratë dhe transporti shtojnë presionin mbi çmimet

Nga Xhorxhina Deda

Inflacioni ngjitet në 3.4% në Korrik/ Ushqimet, qiratë dhe

Inflacioni në Shqipëri vijoi të përshpejtohet edhe në korrik, duke u ngjitur më tej mbi nivelin 3% dhe duke shtuar presionin mbi buxhetet e familjeve. Sipas shifrave, inflacioni e ka kaluar prej dy muajsh objektivin e Bankës së Shqipërisë, prej 3%.

Sipas të dhënave të INSTAT, norma vjetore e inflacionit arriti në 3.4% në korrik 2026, nga 2.5% në të njëjtin muaj të një viti më parë. Krahasuar me qershorin, kur inflacioni ishte 3.2%, ritmi i rritjes së çmimeve u përshpejtua me 0.2 pikë përqindje. Ndërkohë, në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.2%.

Presioni kryesor vijon të vijë nga ushqimet dhe kostot e banimit, por në korrik është shtuar ndjeshëm edhe ndikimi i transportit. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në inflacion, me 1.18 pikë përqindje, ndërsa grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuoi me 0.83 pikë përqindje. Transporti dha një tjetër kontribut të fortë, prej 0.52 pikë përqindje.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e presionit mbi çmimet vazhdon të lidhet me shpenzimet bazë të familjeve.

Megjithatë, zhvillimi më i fortë i korrikut është transporti. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, çmimet e këtij grupi u rritën me 8%, norma më e lartë ndër të gjitha kategoritë. Pas tij renditet “Argëtim, sport dhe kulturë” me rritje 6%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.5%, ndërsa kostot e lidhura me qiranë, ujin, energjinë dhe gazin u rritën me 4.1%. Çmimet e ushqimeve ishin 3.5% më të larta se një vit më parë.

Në bazë mujore, transporti shënoi gjithashtu rritjen më të fortë. Çmimet në këtë grup u rritën me 4.7% vetëm krahasuar me qershorin, ndërsa kostot e qirasë, ujit, energjisë dhe gazit u rritën me 0.6%. Në të kundërt, ushqimet u liruan me 0.5% brenda muajit, ndërsa veshjet dhe këpucët me 1.3%.

Në terma vjetorë, vetëm dy kategori regjistruan ulje çmimesh, veshjet dhe këpucët me rënie 1.8% dhe informacioni dhe komunikimi, me rënie 0.9%.

Të dhënat tregojnë se presionet inflacioniste janë forcuar gjatë muajve të fundit. Nga 3.2% në qershor, inflacioni u ngjit në 3.4% në korrik, ndërsa struktura e rritjes së çmimeve tregon se presioni nuk vjen vetëm nga një kategori. Ushqimet vazhdojnë të kenë peshën më të madhe, kostot e banimit mbeten të larta dhe transporti është shfaqur si faktori me rritjen më të shpejtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat