Analiza Postuar më 13 Gusht 2026, 12:35

Huatë mbi 5 vjet “pushtojnë” portofolin/ Fitojnë terren në tremujorin e dytë. Vlora kryeson me peshën më të madhe

Nga Xhorxhina Deda

Huatë mbi 5 vjet “pushtojnë” portofolin/ Fitojnë

Huatë me afat mbi 5 vjet po zënë pjesën më të madhe të portofolit të huave në Shqipëri. Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026, ato përbënin rreth 65.7% të totalit, ndërsa huatë afatshkurtra shënuan rënie krahasuar me një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku total i huave arriti në 976.5 miliardë lekë, nga 878.8 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2025, me një rritje vjetore prej 11.1%.

Rritja më e fortë u regjistrua te huatë afatgjata, mbi 5 vjet. Stoku i tyre u rrit nga rreth 552.3 miliardë në 641.7 miliardë lekë, ose me 16.2% brenda një viti. Kjo do të thotë se afro dy në çdo tre lekë të stokut të huave i përkasin tashmë kësaj kategorie.

Ndryshe paraqitet situata për huatë afatshkurtra, deri në një vit. Stoku i tyre ra me 3.7%, nga rreth 198.9 miliardë në 191.4 miliardë lekë. Ndërkohë, huatë afatmesme, mbi 1 vit deri në 5 vjet, u rritën me 12.4%, duke arritur në rreth 143.3 miliardë lekë.

Edhe sipas rretheve, huatë afatgjata mbajnë peshën kryesore. Vlora ka raportin më të lartë, me rreth 70.5% të stokut të huave për këtë rreth me afat mbi 5 vjet, e ndjekur nga Lezha me rreth 68% dhe Tirana me 66.8%. Në Durrës pesha është më e ulët, por edhe aty huatë afatgjata përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit për këtë rreth.

Tirana mban pjesën dërrmuese të tregut. Stoku i huave mbi 5 vjet në kryeqytet arriti në 493.2 miliardë lekë, nga 422.1 miliardë lekë një vit më parë. Vetëm Tirana përfaqëson rreth 77% të stokut kombëtar të huave afatgjata.

Të dhënat sipas subjektit tregojnë se huatë afatgjata janë të përqendruara kryesisht te individët dhe institucionet jo me qëllim fitimi që u shërbejnë individëve, si dhe te korporatat jofinanciare private.

Të dhënat tregojnë se huatë mbi 5 vjet po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në portofolin bankar, ndërsa huatë deri në një vit po humbasin terren.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat