Analiza Postuar më 5 Shkurt 2026, 10:49

Huaja e re, rekord gjatë vitit 2025/ Arriti në gati 4.5 mld euro, sa 17% e PBB. Për blerje banese u dhanë 664 milionë euro

Nga Xhorxhina Deda

Huaja e re, rekord gjatë vitit 2025/ Arriti në gati 4.5 mld euro, sa

Huaja e re gjatë dhjetorit të vitit që sapo lamë pas ka prekur nivelin e 62.3 mld lekëve, që është edhe vlera më e lartë mujore e regjistruar përgjatë të gjithë vitit të kaluar,por edhe përgjatë viteve të tjera. Gjithsesi, duhet saktësuar se dhjetori karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e kreditimit për ekonominë. Krahasuar me dhjetorin e vititi 2024 ndërkohë, vihet re një rritje prej gati 30%. Në total, përgjatë të gjithë vitit të kaluar, sektori bankar ka dhënë rreth 436.6 miliardë lekë kredi, që përkthehet në rreth 4.5 miliardë euro, ose rreth 17.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjatë vitit pararendës ndërkohë, huaja e re në total fiksohej në rreth 379.7 mld lekë. Pra, rritja vjetore fiksohet në rreth 15%. Ndër të tjera, shifra prej 436.6 mld lekësh kredi të re gjatë 2025-ës, rezulton të jetë më e larta që prej vitit 2016, kur fiksohej në rreth 253 miliardë lekë, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Sa i përket kreditimit ndaj sektorit privat, vihet re një situatë e ngjashme, me huanë e re që ka prekur vlerën më të lartë të vitit në dhjetor të vitit të shkuar, pranë rreth 46 miliardë lekëve dhe në rritje me 32% krahasuar me dhjetorin e vitit pararendës. Në total bizneset morën rreth 296 mld lekë përgjatë vitit 2025.

Nga ana tjetër, po të shohim huanë e re për individët vëmë re se gjatë dhjetorit ka prekur vlerën e rreth 12.2 miliardë lekëve, që është vlera e dytë më e lartë e regjistruar për këtë muaj që prej dhjetorit të vitit 2015, kur edhe shifrat janë publike nga Banka e Shqipërisë.

Sa i përket huasë së re për individët për blerje banese, shifrat tregojnë se, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, shifra fiksohej në rreth 5.5 mld lekë, si në euro ashtu edhe në lek. Në total, gjkatë të gjithë vitit të kaluar, sektori bankar i ka dhënë individëve rreth 64.4 mld lekë kredi për blerje banese, ose e përkthyer në valutë, rreth 664 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat