Analiza Postuar më 10 Mars 2026, 11:40

Financa dhe IT me pagat më të larta në Shqipëri/ Rroga mesatare në vend arrin në 87 mijë lekë në fund të vitit 2025

Nga Xhorxhina Deda

Financa dhe IT me pagat më të larta në Shqipëri/ Rroga

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 87 mijë lekë në tremujorin e katërt të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, kjo përfaqëson një rritje prej 4.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe një rritje prej 4.4% në raport me tremujorin e tretë të vitit 2025.

Rritja e pagave në tremujorin e fundit të vitit lidhet edhe me pagesat shtesë dhe shpërblimet që zakonisht jepen në fund të vitit, të cilat ndikojnë në rritjen e pagës mesatare.

Sektorët me pagat më të larta në ekonomi mbeten aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga mesatare arriti në 173,283 lekë. Pas tyre renditet sektori i informacionit dhe komunikacionit me një pagë mesatare prej 131 mijë lekësh. Po ky sektor shënoi edhe rritjen më të madhe vjetore të pagave, me 7.9%.

Nga ana tjetër, rritja më e ulët e pagave u regjistrua në sektorin e arteve, argëtimit dhe shërbimeve të tjera, ku paga u rrit me vetëm 2.2%.

Sa i përket profesioneve, pagat më të larta janë për menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, me një mesatare prej 135 mijë lekësh në muaj. Ndërkohë, specialistët me arsim të lartë paguhen mesatarisht 115 mijë lekë. Rritjen më të madhe vjetore të pagave e shënuan Forcat e Armatosura me 10.6%, të ndjekura nga nëpunësit me 6.2%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të punësimit drejt pagave më të larta. Pjesa e të punësuarve që marrin mbi 120 mijë lekë në muaj u rrit nga 14.1% në 16.2% brenda një viti, ndërsa u ul përqindja e atyre që paguhen deri në nivelin e pagës minimale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat