Analiza Postuar më 4 Maj 2026, 10:34

Euro fiton terren në kreditim në Mars/ Monedha europiane dominon huatë e bizneseve, leku mbetet për individët

Nga Scan TV

Euro fiton terren në kreditim në Mars/ Monedha europiane dominon

Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, huaja e re sipas monedhës tregon një zhvendosje të dukshme drejt euros në muajin mars, pavarësisht forcimit të lekut dhe rënies së ndjeshme të monedhës europiane në kursin e këmbimit. Në total, sistemi bankar disbursoi 39.99 miliardë lekë kredi të reja, nga 36.2 miliardë lekë në marsin e vitit të kaluar.

Kreditë e reja në lekë vijuan të mbajnë peshën kryesore, por rritja e tyre ishte e kufizuar. Në mars 2026, huatë në monedhën vendase arritën në rreth 24 miliardë lekë, nga 23.3 miliardë lekë një vit më parë, me një rritje prej afro 2.9%. Pesha e lekut në totalin e huasë së re zbriti në rreth 60%, nga mbi 64% në mars 2025.

Në të kundërt, kreditë në euro u rritën me ritme shumë më të forta. Huaja e re në monedhën europiane arriti në rreth 15.97 miliardë lekë, nga 12.55 miliardë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej rreth 27.3%. Si rezultat, pesha e euros në totalin e kredisë së re u ngjit pranë 40%, nga rreth 35% një vit më parë.

Rritja e kredisë në euro është mbështetur kryesisht nga bizneset private. Në mars, korporatat jofinanciare private morën 13.95 miliardë lekë kredi të re në euro, më shumë se kredia e marrë në lekë, e cila ishte 13.27 miliardë lekë.

Kjo sjellje lidhet jo vetëm me të ardhurat në valutë, por edhe me normat më të favorshme të interesit që zakonisht ofrohen për kreditë në euro.

Ndryshe paraqitet situata për individët. Për këtë kategori, kredia në lekë mbetet dominuese dhe rritja e saj është më e qëndrueshme. Individët vijojnë të shmangin ekspozimin ndaj kursit të këmbimit, sidomos pas eksperiencave të mëparshme me luhatjet e euros, duke preferuar financimin në monedhën në të cilën kanë të ardhurat.

Në të njëjtën kohë, kreditimi në dollarë mbetet pothuajse i papërfillshëm dhe në rënie, duke konfirmuar se tregu i huadhënies në Shqipëri është praktikisht i përqendruar mes lekut dhe euros.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat