Analiza Postuar më 25 Mars 2026, 12:40

Emigrantët sollën rreth 1.1 miliardë euro/ Viti 2025: Bilanci përmirësohet, por kursi i këmbimit zbeh fuqinë blerëse

Nga Xhorxhina Deda

Emigrantët sollën rreth 1.1 miliardë euro/ Viti 2025: Bilanci

Remitancat nga emigrantët shqiptarë arritën në 1.12 miliardë euro gjatë vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri tani në serinë e bilancit të pagesave. Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, krahasuar me vitin 2024, kur hyrjet ishin 1.04 miliardë euro, rritja është me 73.69 milionë euro, ose 7.1%. Megjithatë, ritmi i zgjerimit është ngadalësuar ndjeshëm nga 12.6% që ishte një vit më parë, çka tregon se fluksi vijon të rritet, por jo më me të njëjtën forcë si në 2024.

Në plan afatgjatë, tabloja mbetet e fortë. Krahasuar me vitin 2008, kur remitancat ishin 833.31 milionë euro, në vitin 2025 ato rezultojnë rreth 34.3% më të larta. Kjo do të thotë se Shqipëria jo vetëm ka rikuperuar nivelet e para krizës, por i ka kaluar ato, duke e çuar këtë burim të ardhurash në një rekord të ri historik.

Por, përtej vlerës nominale, kjo rritje e remitancave vjen në një kontekst të veçantë, zhvlerësimi i euros. Me kursin që ka prekur nivele të ulëta historike ndaj lekut, vlera reale e remitancave në monedhën vendase është relativisht më e ulët për përfituesit në Shqipëri. Pra, edhe pse më shumë euro po hyjnë në ekonomi, fuqia blerëse e tyre është ndikuar ndjeshëm nga zhvlerësimi.

Ky zhvillim krijon një paradoks, më shumë remitanca në euro, por më pak ndikim real për familjet shqiptare, veçanërisht ato që mbështeten te këto dërgesa për konsum të përditshëm.

Theksojmë se sipas të dhënave të INSTAT mbi emigracionin ndërkombtar, rmitancat përdoren pothuajse tërësisht për mbulimin e nevojave bazë, ku rreth 90% e familjeve i shpenzojnë për ushqim dhe shpenzime të përditshme, 36% për shpenzime shëndetësore dhe 30% për arsim. Ndërkohë, investimet produktive mbeten minimale, me më pak se 2% të fondeve të orientuara drejt zgjerimit të bizneseve apo inputeve bujqësore. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat