Analiza Postuar më 15 Prill 2026, 13:45

Emigrantët e kthyer, sa prej tyre bëhen punëdhënës? Rreth 91% e emigrantëve të kthyer që janë vetëpunësuar punojnë pa punonjës të paguar

Nga Scan TV

Emigrantët e kthyer, sa prej tyre bëhen punëdhënës?

Një pjesë e emigrantëve që kthehen në Shqipëri përpiqen të krijojnë aktivitet ekonomik, por sipërmarrja mbetet ende e kufizuar dhe kryesisht në shkallë të vogël. Të dhënat e Anketës së Migracionit të Familjeve 2024 tregojnë se vetëpunësimi është një nga rrugët kryesore të riintegrimit ekonomik për emigrantët e kthyer, megjithatë bizneset që krijojnë vende pune për të tjerët janë të pakta.

Sipas raportit, norma e vetëpunësimit te emigrantët e kthyer është rritur ndjeshëm me kalimin e viteve. Nga rreth 7% për ata që u kthyen në vitet 2000-2004, kjo normë arriti në 34% për të kthyerit në periudhën 2010-2014, ndërsa për grupet më të fundit, 2015-2024, llogaritet rreth 29%. Kjo tregon se gjithnjë e më shumë të kthyer po orientohen drejt aktivitetit të pavarur ekonomik si mënyrë për të siguruar të ardhura.

Megjithatë, shumica e këtyre aktiviteteve janë biznese shumë të vogla. Raporti evidenton se 91-93% e të vetëpunësuarve të kthyer punojnë pa punonjës të paguar, çka nënkupton se bëhet fjalë kryesisht për vetëpunësim individual dhe jo për sipërmarrje që gjenerojnë vende pune.

Gratë shpesh zgjedhin vetëpunësimin si alternativë

Të dhënat tregojnë edhe dallime sipas gjinisë. Në disa raste, gratë e kthyera shfaqin norma më të larta vetëpunësimi se burrat, sidomos kur përballen me vështirësi për të gjetur punë me pagë. Për shembull, për emigrantët e kthyer më herët, 41% e grave rezultojnë të vetëpunësuara, krahasuar me 25% të burrave. Ndërsa për grupet e tjera, diferencat janë më të vogla, por vetëpunësimi mbetet një alternativë e rëndësishme për të dyja gjinitë.

Emigrantët e kthyer kanë më shumë gjasa të bëhen sipërmarrës

Edhe pse numri i bizneseve me punonjës mbetet i ulët, raporti evidenton një avantazh të lehtë për emigrantët e kthyer. Ata janë rreth 0.8 pikë përqindjeje më të prirur të bëhen punëdhënës sesa personat që nuk kanë emigruar. Ky efekt rritet për ata që kanë qëndruar më gjatë jashtë vendit, duke treguar se eksperienca e fituar në emigracion mund të ndikojë pozitivisht në krijimin e aktivitetit ekonomik pas kthimit.

Emigrantët e kthyer, sa prej tyre bëhen punëdhënës?

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat