Eksportet shqiptare, më pak të varura nga Italia/ “Made in Albania” ndërrojnë destinacion, Egjipti surprizon

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, shitjet jashtë vendit u rritën me 6.1%, por zgjerimi nuk u shpërnda njësoj mes partnerëve. Italia humbi peshë, Kosova dhe Greqia forcuan pozitat, ndërsa Kina u ngjit me shpejtësi mes destinacioneve kryesore.
Italia vijon të jetë tregu dominues për mallrat shqiptare, por varësia ndaj saj është zbutur. Rënia e eksporteve drejt saj duket se lidhet kryesisht me dobësimin e sektorit fason, i cili po përballet me humbje të ardhurash nga forcimi i lekut ndaj euros. Eksportet drejt këtij vendi ranë me 3.3%, nga 77.7 miliardë lekë në 75.1 miliardë lekë. Si rezultat, pesha e Italisë në totalin e eksporteve zbriti nga 42.6% në 38.8%.
Në kahun tjetër, Kosova e konsolidoi vendin e dytë. Eksportet drejt saj u rritën me 17.7%, duke arritur në rreth 20.6 miliardë lekë, ndërsa pesha në total u zgjerua nga 9.6% në 10.6%.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ndodhi mes Greqisë dhe Gjermanisë. Eksportet drejt Greqisë u rritën me 22%, duke e çuar peshën e saj në 7.6%. Kjo rritje e ngjiti Greqinë në vendin e tretë, përpara Gjermanisë, e cila gjithashtu shënoi zgjerim me 14.2%.
Surpriza mes partnerëve të mëdhenj është Kina. Eksportet shqiptare drejt tregut kinez u rritën me 69%, nga 4.6 miliardë në 7.8 miliardë lekë. Rritje të fortë shënuan edhe Shtetet e Bashkuara ku eksportet drejt këtij tregu u zgjeruan me 65.4%.
Në anën tjetër, Spanja humbi ndjeshëm terren. Eksportet drejt saj ranë me 37.4%, nga 8.6 miliardë në 5.4 miliardë lekë, ndërsa pesha në total u tkurr nga 4.7% në 2.8%. Spanja zbriti kështu nga vendi i pestë në të shtatin mes partnerëve kryesorë të eksporteve.
Ndër tkurrjet e tjera bien në sy Sllovenia, Rumania, Suedia dhe Izraeli. Megjithatë, ndikimi i tyre në totalin e eksporteve është dukshëm më i kufizuar se ai i rënies së Italisë dhe Spanjës.
Shifra më befasuese e gjashtëmujorit vjen nga Egjipti. Eksportet drejt këtij vendi u rritën nga vetëm 16.8 milionë lekë në rreth 2.6 miliardë lekë, duke e ngjitur Egjiptin nga vendi i 61-të në të 14-in. Rritja prej mbi 15 mijë për qind është e madhe, por nis nga një bazë e ulët.
Eksportet drejt Egjiptit u dominuan pothuajse tërësisht nga lëndët djegëse minerale dhe produktet e distilimit, me rreth 2.27 miliardë lekë, ose afro 87% të totalit. Artikujt prej gize dhe çeliku zunë vendin e dytë me rreth 293 milionë lekë, ndërsa makineritë, farat vajore, bimët medicinale dhe produktet e tjera kishin peshë shumë më të kufizuar.
Ndërkohë Venezuela paraqet lëvizjen e kundërt. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, Shqipëria eksportoi drejt saj rreth 17.6 milionë lekë mallra, ndërsa këtë vit vlera ra në zero.
Bizneset paguan 78 milionë lekë për ankesat në KPP - Prokurimet publike, bilanci financiar i pesë muajve
Kur një biznes kundërshton një tender publik, ai duhet të paguajë një tarifë financiare si garanci për shqyrtimin e ankesës. Gjatë periudhës janar–maj 2026,......
Bizneset shqiptare, vështirësi në aksesin në financë - Raporti i OECD: Të krijohet Byroja Private e Kredisë. Banka e Zhvillimit, hap pozitiv
Aksesi i bizneseve të vogla dhe të mesme në financa mbetet një nga pikat më të sfiduese të ekonomisë shqiptare, pavarësisht përmirësimeve të lehta të......
Rregulla të reja për drejtuesit e automjeteve - Në fuqi nga data 5 gusht/ Kush kapet i dehur dy herë në timon, humbet patentën
Drejtuesit e automjeteve duhet të zbatojnë rregullat e reja të qarkullimit, pasi në të kundërt do të përballen me masa më të ashpra. Ndryshimet në Kodin......
“Bileta autobusi jo më të shtrenjta se 2 paund” - Burnham: Vendimi, rreth 500 mln paund më pak në buxhetin e Anglisë
Tarifa për një udhëtim të vetëm me autobus në të gjithë Anglinë do të kufizohet në 2 paund duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, ka njoftuar......
Çmimet e naftës rriten për të pestën ditë me radhë - Ndikojnë kërcënimet për bllokim në Detin e Kuq dhe Hormuz
Çmimet e naftës u rritën për të pestën ditë radhazi të enjten, për shkak të shqetësimeve në rritje në lidhje me disponueshmërinë e furnizimit mes sulmeve......
Sa kushton një Airbnb në periferi të Tiranës? Investimet në vila kanë rritur kërkesën, Bërzhita rezulton më e shtrenjta
Përveç qendrës së Tiranës, e cila vijon të mbetet pika kryesore e interesit për turistët, vitet e fundit edhe zonat periferike të kryeqytetit po tërheqin......
Makinat elektrike po fitojnë terren në Evropë - Regjistrohet kërkesë e fortë e konsumatorëve
Regjistrimet e makinave të reja në BE janë rritur me 5.7% që nga fillimi i vitit, me një performancë të fortë në qershor që kontribuoi në një gjysmë të parë......
Europa po thahet nga i nxehti, jo nga mungesa e reshjeve - Shkencëtarët: Po goditet bujqësia, transportin ujor dhe prodhimi i energjisë
Shkencëtarët deklarojnë se thatësirat në Europë po shkaktohen gjithnjë e më shumë nga i nxehti përvëlues dhe jo nga mungesa e shiut, me lagështinë e tokës që......

