Analiza Postuar më 27 Tetor 2025, 10:19

Eksportet “ndalen” pas katër muajsh rritje/ Në shtator rënia u vlerësua në 10.7%. Ndikuan negativisht materialet e ndërtimit

Nga Xhorxhina Deda

Eksportet “ndalen” pas katër muajsh rritje/ Në shtator

Pas katër muajve më rritje, Shtatori i vitit 2025 shënoi rikthimin e eksporteve në rënie sipas shifrave të INSTAT. Eksportet e mallrave arritën në 27 miliardë lekë dhe rënia është e konsiderueshme, me plot 10.7%. Në nëntë muaj, eksportet arritën 260 mld lekë, duke u ulur me 7.9% krahasuar me një vit më parë.

Rënia u ndikua kryesisht nga grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8.4 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2.4 p.p. Pozitivisht ndikuan “Tekstile dhe këpucë” dhe “Ushqime, pije, duhan”. Edhe në analizën vjetore, uljen e kanë përcaktuar materialet e ndërtimit dhe mineralet, ndërsa rritje kanë shënuar ushqimet dhe makineritë.

Nga ana tjetër, importet e mallrave arritën në 75 mld lekë, duke u rritur me 5.6%, krahasuar me një vit më parë dhe me 11.8% ndaj Gushtit. Përgjatë nëntë muajve ato arritën në 657 mld lekë, me një rënie të lehtë prej 1.3%. Në shtator, rritja u mbështet nga “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Ushqime, pije, duhan”, ndërsa “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” ndikuan negativisht.

Deficiti tregtar i muajit arriti në 48 mld lekë, rreth 17.8% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Në periudhën Janar-Shtator deficiti u zgjerua në 397 mld lekë ose 3.6%.

Në aspektin gjeografik, në Shtator eksportet ranë më shumë drejt Spanjës dhe Italisë, ndërsa u rritën drejt Greqisë dhe Kosovës. Importet u rritën nga Kina, Italia dhe Greqia, ndërsa ranë nga Turqia dhe Gjermania.

Shkëmbimet me BE-në përbëjnë 57% të totalit të tregtisë, me 74.6% të eksporteve dhe 51.3% të importeve. Partnerët kryesorë mbeten Italia, Kina, Greqia dhe Turqia.

Rikthimi i rënies tregon se eksportet shqiptare mbeten të varura nga materialet bazë, ndërsa importet vazhdojnë të mbështeten te energjia dhe ushqimet. Rritja e qëndrueshme kërkon më shumë përpunim vendas, diversifikim tregjesh dhe orientim drejt produkteve me vlerë të shtuar.

 

Shqipëria 27 Tetor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan ka regjistruar rritje të kuotës këtë mëngjes teksa është blerë sot në raport me javën që lamë pas me 82.7 lekë dhe është shitur me 83.6 lekë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat