Analiza Postuar më 24 Dhjetor 2024, 11:57

Ekonomia shpejton ritmin, 4.09% në tremujorin e tretë/ Tregtia, transporti dhe akomodimi patën ndikimin më të madh në rritje

Nga Xhorxhina Deda

Ekonomia shpejton ritmin, 4.09% në tremujorin e tretë/ Tregtia,

Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet me rritje përgjatë tremujorit të tretë të vitit, tregojnë të dhënat nga Instituti i Statatistikave. Kjo rritje fiksohet në 4.09%, krahasuar me të njejtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa, nga ana tjetër, konsumi final i popullatës ka shënuar rritje me 0.83%. Shifrat tregojnë se gjatë tremujorit të tretë, zëri që dha kontributin më të lartë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 1.30 pikë është tregtia, transporti dhe akomodimi, ndjekur nga administrata publike me 0.91 pikë, aktivitetet profesionale me 0.81 pikë dhe ndërtimi me 0.58 pikë përqindje. Performanca e mirë e turizmit pasqyrohet edhe në treguesit e PBB-së. Dega e cila ka dhënë kontibutin më të vogël në rritjen e përgjithshme të prodhimit është grupi “Arte, argëtim dhe çlodhje” me 0.07 pikë. Negativisht kontribuan grupet “Industri, Energji dhe Uji” me 0.43 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me 0.41 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me 0.12 pikë përqindje.

Nëse në analizë marrim ndryshimin e degëve kryesore, shohim se për këtë tremujor grupi “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 11.64% i ndjekuar nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 8.36%. Grupi “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” shënoi një rritje prej 6.27%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi rritje prej 6.19%, aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi rritje me 5.30%, aktiviteti i “Pasurive të Paluajtshme” shënoi rritje prej 4.33% dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 3.88%. Nga ana tjetër, grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rënie prej 5.25%, aktivitetet e “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënuan rënie me 4.04% dhe aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi ulje me 2.54%.

Ndërkohë, krahasuar me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e dytë të vitit 2024, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto është rritur me 2.76%, ndërsa ndryshimet e disa komponentëve paraqiten me rënie. Kështu, rënien më të lartë e regjisron ndërtimi me 8.27% pasuar nga grupi “Bujqësi, Pyjeve dhe Peshkim”, i cili shënoi rënie prej 0.85%.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat