Analiza Postuar më 23 Janar 2026, 12:11

Dy realitete: perimet i mbulojnë importet, frutat jo/ Shqipëria prodhon për eksport, por konsumon fruta të shtrenjta nga importi

Nga Xhorxhina Deda

Dy realitete: perimet i mbulojnë importet, frutat jo/ Shqipëria

Në vitin 2025, importet e zarzavateve dhe rrënjëve të ngrënshme arritën në rreth 4.35 miliardë lekë, ndërsa në peshë kapën 69.4 mijë ton. Këto nivele janë më të lartat e regjistruara ndonjëherë, duke reflektuar rritjen e kërkesës së brendshme dhe nevojën për furnizim plotësues gjatë gjithë vitit.

Megjithatë, eksportet e zarzavateve janë ndjeshëm më të larta. Në vitin 2025, vlera e eksporteve arriti në 14.1 miliardë lekë, ndërsa pesha e tyre u ngjit në rreth 175 mijë ton. Kjo do të thotë se eksportet jo vetëm e mbulojnë plotësisht importin, por e tejkalojnë atë me më shumë se dy herë e gjysmë në peshë dhe mbi tre herë në vlerë.

Krahasuar me vitin 2010, eksportet e zarzavateve janë rritur disa herë, duke treguar një zgjerim strukturor të prodhimit vendas, të mbështetur nga investimet në sera, teknologji dhe orientimi drejt tregjeve të huaja. Në këtë segment, Shqipëria ka ndërtuar një avantazh të qartë konkurrues dhe një suficit të qëndrueshëm tregtar.

Pamja është ndryshe te frutat dhe arrat e ngrënshme. Në vitin 2025, importet e frutave arritën në rreth 8.32 miliardë lekë, ndërsa në peshë kapën afro 99 mijë ton, duke shënuar një rekord historik. Rritja e importeve është veçanërisht e fortë pas vitit 2020 dhe lidhet me kërkesën e vazhdueshme për fruta gjatë gjithë vitit, përfshirë produkte që nuk prodhohen mjaftueshëm në vend.

Eksportet e frutave, ndonëse në rritje, mbeten më të ulëta. Në vitin 2025, ato arritën në rreth 6.76 miliardë lekë, me një peshë prej 139 mijë ton. Në terma vlerë, eksportet mbulojnë vetëm rreth 81% të importeve, duke konfirmuar se Shqipëria mbetet e varur për këtë kapitull.

Edhe në peshë, megjithëse eksportet janë rritur ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë, struktura e tregut mbetet e pabalancuar. Importet vazhdojnë të luajnë rol kyç në furnizimin e tregut vendas, veçanërisht për fruta të stinëve të ftohta dhe produkte tropikale, duke ekspozuar sektorin ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.

Krahasimi mes vlerës dhe peshës tregon qartë rolin e çmimeve në këtë bilanc të pabarabartë. Shqipëria eksporton zarzavate me çmim mesatar më të lartë sesa i importon, ndërsa te frutat ndodh e kundërta: importohen produkte më të shtrenjta dhe eksportohen sasi më të mëdha, por me çmim më të ulët për kilogram.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat