Analiza Postuar më 22 Gusht 2026, 13:27

Bulmeti i huaj po mbush tregun/ Nga qumështi te vezët, fatura që Shqipëria paguan po qëndron në nivele historike

Nga Xhorxhina Deda

Bulmeti i huaj po mbush tregun/ Nga qumështi te vezët, fatura që

Nga qumështi te djathi, vezët dhe mjalti, fatura që Shqipëria paguan për produktet e sjella nga jashtë po qëndron në nivele historikisht të larta. Vetëm në korrik 2026, importet e kësaj kategorie arritën në rreth 784 milionë lekë, duke shënuar vlerën e dytë më të lartë mujore të regjistruar në më shumë se dy dekada dhe duke konfirmuar varësinë në rritje të tregut vendas nga furnizimet e huaja.

Rekordi historik mbetet korriku i vitit 2025, kur importet arritën në rreth 815 milionë lekë. Kështu, pavarësisht se këtë korrik fatura rezultoi rreth 3.8% më e ulët se një vit më parë, ajo mbetet shumë pranë nivelit rekord. Krahasuar me qershorin 2026, importet u rritën me rreth 13%, nga 694 milionë në 784 milionë lekë.

Rritja bëhet edhe më e dukshme kur shihet e gjithë pjesa e parë e vitit. Gjatë periudhës Janar-Korrik 2026, Shqipëria importoi rreth 4.42 miliardë lekë produkte bulmetore, vezë dhe mjaltë, afërsisht 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të dhënat historike tregojnë se fatura e importeve ka ndryshuar ndjeshëm. Në korrik 2005, Shqipëria importonte rreth 95 milionë lekë produkte të kësaj kategorie; në korrik të këtij viti vlera ishte mbi tetë herë më e lartë.

Ndërkohë, të dhënat e prodhimit vendas tregojnë një ecuri të kundërt për pjesën më të madhe të produkteve blegtorale. Prodhimi total i qumështit ra nga rreth 1.11 milionë tonë në vitin 2019 në 868 mijë tonë në 2025, një tkurrje prej afro 22%, me rënie si te qumështi i lopës, ashtu edhe te ai i deles dhe dhisë. Edhe prodhimi i vezëve zbriti në rreth 837 mijë tonë në 2025, nga 888 mijë tonë një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat