Analiza Postuar më 27 Janar 2026, 11:36

Buka, ku mbështetet Shqipëria? Analiza: Si ka ndryshuar gjeografia e furnizimit me drithëra të vendit

Nga Xhorxhina Deda

Buka, ku mbështetet Shqipëria? Analiza: Si ka ndryshuar gjeografia e

Importet e drithërave të Shqipërisë kanë kaluar një transformim të dukshëm gjatë dekadës së fundit, duke reflektuar jo vetëm zhvillimet ekonomike, por edhe goditjet gjeopolitike që kanë tronditur tregjet globale të ushqimit. Të dhënat tregojnë se, ndonëse vlera totale e importeve ka mbetur relativisht e lartë ndër vite, pesha e vendeve furnizuese ka ndryshuar ndjeshëm, veçanërisht pas vitit 2022.

Në vitin 2015, tregu shqiptar i drithërave karakterizohej nga një varësi e fortë nga Rusia, e cila mbulonte rreth 42% të totalit të importeve. Serbia renditej e dyta me rreth 27%, ndërsa pjesa tjetër ndahej mes Italisë, Spanjës, Greqisë dhe disa partnerëve të tjerë me peshë më të kufizuar.

Situata filloi të ndryshojë gradualisht pas vitit 2020, por thyerja kryesore ndodhi pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Në vitin 2022, pavarësisht se Rusia mbeti një furnizues i rëndësishëm, peshën e saj e gërryen kufizimet tregtare, pasiguritë logjistike dhe rritja e kostove, duke bërë që ajo të humbasë rolin dominues që kishte prej vitesh. Në vitin 2023, Rusia zbriti në rreth 22% të totalit, duke u kaluar për herë të parë nga Serbia.

Ndërkohë, Serbia u konsolidua si partneri kryesor i Shqipërisë për importin e drithërave, duke arritur një peshë prej 36.5% në vitet 2023.

Një tjetër ndryshim domethënës ishte rritja e përkohshme e importeve nga Ukraina. Nga një peshë pothuajse e papërfillshme para vitit 2020, Ukraina arriti deri në 13.5% të totalit në vitin 2023, duke reflektuar përpjekjet e tregjeve europiane për të mbajtur funksionalë korridoret e eksportit të drithërave gjatë luftës. Megjithatë, kjo peshë u tkurr sërish në vitin 2025.

Paralelisht me këto zhvillime, vërehet edhe një diversifikim i kujdesshëm i burimeve të furnizimit. Vende si Italia, Greqia dhe Spanja ruajtën një prani të qëndrueshme, ndërsa pas vitit 2022 u rritën importet nga Kanadaja, Kina dhe Maqedonia e Veriut.

Në vitin 2025, importet e drithërave të Shqipërisë dominohen qartë nga Serbia, e cila mban 36.5% të peshës totale, duke u konfirmuar si partneri kryesor i furnizimit. Rusia renditet e dyta me 29.6%, duke ruajtur një rol të rëndësishëm, por pa arritur pozitat dominuese të viteve para luftës në Ukrainë. Pas tyre, pesha e importeve shpërndahet në mënyrë më të fragmentuar, ku Italia mbulon 5.2%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 4.2%. Ukraina mban 2.7%, ndërsa Kroacia, Kina dhe Kanadaja kontribuojnë secila me rreth 2.4%.

Në aspektin e bilancit tregtar, të dhënat tregojnë se Shqipëria mbetet një importues neto i drithërave. Eksportet janë shumë herë më të ulëta se importet dhe shënojnë luhatje të forta ndër vite, me një rritje të pazakontë në vitin 2022, e ndjekur nga rënie sërish në vitet pasuese. Kjo thekson edhe më shumë ndjeshmërinë e vendit ndaj lëkundjeve të tregjeve ndërkombëtare të ushqimit, sidomos me dërgesa drejt Kosovës.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat