Analiza Postuar më 30 Korrik 2025, 13:14

Blerja e pronave nxit huamarrjen/ Kredia e re arrin vlerën e 38.9 miliardë lekëve në qershor

Nga Scan TV

Blerja e pronave nxit huamarrjen/ Kredia e re arrin vlerën e 38.9

Në muajin Qershor, kredia e re e dhënë nga sistemi bankar ka arritur në vlerën e 38.8 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej 24.7%, krahasuar me një vit më parë. Kjo shifër ka shënuar rekord nëse marrim në analizë të njejtin muaj të viteve të mëparshme.

Nëse flasim për huanë e re për korporatat jofinanciare private, pra bizneset, vlera arriti në 25.9 miliardë lekë, nga 22.3 miliardë lekë një vit më parë. Rritja vlerësohet në rreth 2.51 miliardë lekë, ose gati 16.4% më shumë në terma vjetorë. Sipas të dhënave rezulton se vlera totale e huasë së re për gjashtë muajt e parë të vitit arriti në 202 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Nga ana tjetër, individët dhe institucionet që u shërbejnë atyre kanë rritur huamarrjen në mënyrë të ndjeshme. Kreditë për këtë kategori u rritën nga 8.87 miliardë lekë në 12.9 miliardë lekë, me një rritje prej 45.6% krahasuar me qershorin e vitit 2024. Kjo tregon një rritje të konsiderueshme të kërkesës për kredi nga individët, afër dyfishimit që nga viti i kaluar.

Për sa i përket huave për blerje banesash, ato regjistruan një tjetër muaj me rritje të qëndrueshme. Në qershor 2025 u dhanë 7.39 miliardë lekë kredi për blerje banesash, duke u rritur me rreth 60%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Mesa duket, këtë muaj kreditë për shtëpi janë rritur ndjeshëm, duke treguar qartë tendencat e shqiptarëve për blerje pronash.

Në përmbledhje, të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje të fortë të kreditimit në të gjitha segmentet, veçanërisht në atë të individëve dhe të sektorit të banesave. Ky trend reflekton një kërkesë të shtuar për financime personale dhe investime në pasuri të paluajtshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat