Analiza Postuar më 10 Prill 2026, 14:36

Biznesmenët e huaj “prishin” ortakërinë me shqiptarët/ Sipërmarrjet 100% të huaja rriten. Ndërmarrjet e përbashkëta tkurren nga viti në vit

Nga Xhorxhina Deda

Biznesmenët e huaj “prishin” ortakërinë me

Sipërmarrjet e përbashkëta mes shqiptarëve dhe të huajve duket se po humbasin terren në ekonominë shqiptare, ndërsa bizneset me pronësi plotësisht të huaj vijojnë të rriten. Kjo evidentohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave mbi njësitë ligjore sipas pronësisë për periudhën 2022-2024.

Të dhënat tregojnë se numri i ndërmarrjeve të përbashkëta (shqiptare dhe të huaja) ka shënuar rënie të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit. Në vitin 2022 numëroheshin 1,655 ndërmarrje të tilla, ndërsa në vitin 2023 ky numër zbriti në 1,455. Rënia ka vijuar edhe në vitin 2024, ku sipërmarrjet e përbashkëta kanë arritur në 1,421, duke konfirmuar një tendencë tkurrjeje të qëndrueshme.

Ndryshe nga kjo kategori, bizneset 100% të huaja kanë ndjekur një trajektore rritëse. Në vitin 2022 numri i tyre ishte 4,934, ndërsa në vitin 2023 u rrit në 5,483. Rritja ka vijuar edhe gjatë vitit 2024, kur ndërmarrjet me pronësi plotësisht të huaj arritën në 5,586.

Në tërësi, shifrat tregojnë se prania e kapitalit të huaj në ekonomi nuk është në rënie, por forma e organizimit të tij po ndryshon. Të huajt duket se po preferojnë gjithnjë e më shumë të operojnë me pronësi të plotë, ndërsa interesimi për ortakëri me sipërmarrës vendas po dobësohet gradualisht.

Në vitin 2024 ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Europian zënë mesatarisht 60.7% të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 11.9 % të këtyre ndërmarrjeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat