Analiza Postuar më 2 Korrik 2026, 10:56

Bizneset marrin më shumë kredi për prona/ Huatë për pasuri të paluajtshme dhe overdraft-et zënë peshën kryesore

Nga Xhorxhina Deda

Bizneset marrin më shumë kredi për prona/ Huatë për

Bizneset shqiptare vijuan të rrisin huamarrjen në muajin maj, me fokus kryesisht te pasuritë e paluajtshme dhe financimi afatshkurtër. Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, korporatat jofinanciare private përfituan 25.5 miliardë lekë kredi të reja, nga 23 miliardë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 11%.

Peshën më të madhe të financimit, vijojnë ta mbajnë kreditë për pasuri të paluajtshme. Vetëm në euro, bizneset morën 5.83 miliardë lekë kredi për këtë qëllim, nga 4.61 miliardë lekë një vit më parë, ose 26.4% më shumë. Së bashku me kreditë në lekë, financimi për pasuri të paluajtshme arriti në 7.69 miliardë lekë, duke qenë qëllimi kryesor i huamarrjes së bizneseve gjatë muajit Maj.

Një tjetër segment me rritje të ndjeshme ishte overdraft-i, i përdorur zakonisht për nevoja afatshkurtra likuiditeti. Totali i overdrafteve u rrit në 10.18 miliardë lekë, nga 8.44 miliardë lekë në maj 2025, ose rreth 20.6% më shumë. Rritja u mbështet kryesisht nga overdraft-et në lekë, por edhe nga zgjerimi i financimit në dollarë.

Ndryshe paraqitet situata për kreditë që lidhen me investimet në pajisje. Financimi për blerje pajisjesh zbriti në 1.90 miliardë lekë, nga 2.19 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rënie prej rreth 13%. Në rënie ishte edhe kapitali qarkullues në lekë, megjithëse kjo u kompensua pjesërisht nga rritja e huamarrjes në euro për të njëjtin qëllim.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se bizneset po orientohen më shumë drejt financimit të pasurive të paluajtshme dhe sigurimit të likuiditetit afatshkurtër, ndërsa investimet në pajisje kanë shfaqur një ngadalësim krahasuar me një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat