Analiza Postuar më 12 Gusht 2025, 11:42

“Befason” arsimi i lartë, rriten regjistrimet/ Biznesi, shkencat natyrore dhe teknologjia, degët më të preferuara

Nga Xhorxhina Deda

“Befason” arsimi i lartë, rriten regjistrimet/ Biznesi,

Sipas të dhënave nga INSTAT, arsimi i lartë sjell ndryshime pozitive për vitin akademik 2024-2025. Me 122,613 studentë të regjistruar është shënuar një rritje prej 2.1%, krahasuar me vitin e kaluar, një kthesë që thyen për herë të parë në pesë vite trendin zbritës të regjistrimeve në universitetet shqiptare. Prej tyre, 70.9% ndjekin studimet në institucione publike, duke dëshmuar një besim të vazhdueshëm në arsimin shtetëror, megjithëse cikli “Bachelor” ka pësuar një rënie të lehtë me 0.8% dhe është regjistruar me gjithsej 68,080 studentë.

Analiza e preferencave për fusha studimi ofron një pasqyrë të qartë për orientimin profesional të brezit të ri. Degët më të kërkuara vijojnë të jenë ato me prirje praktike dhe të lidhura me tregun e punës, ku “Biznes, administrim dhe ligj” qëndron në krye me rreth një të katërtën e të gjithë studentëve. Pas saj vijnë “Shëndet dhe mirëqenie” me 20.7% dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18.8%, ndërkohë që fusha të tjera si “Shkenca arsimore”, “Teknologji informacioni dhe komunikimi”, “Shkenca natyrore”, “Shërbime” dhe “Shkenca sociale” shënojnë gjithashtu rritje, duke dëshmuar një diversifikim të ngadaltë por të qëndrueshëm në zgjedhjet akademike të të rinjve. 

Po tè shohim ndryshimin vjetor, ndër fushat me rritjen më të madhe dallon Shkenca e Arsimit, me një rritje prej 7.5%, tregues i qartë i interesit të shtuar për profesionin e mësuesit dhe edukatorit. Po ashtu, fusha e Biznesit, Administrimit dhe Ligjit ka parë një rritje mbresëlënëse prej 6.3%, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm të të rinjve për sektorin ekonomik dhe juridik.

Tendencë pozitive është vërejtur edhe në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (+5.7%) dhe Shkencat Natyrore, Matematikë dhe Statistikë (+5.7%), që përputhet me nevojat gjithnjë e më të mëdha të tregut për profesionistë në këto fusha.

Pavarësisht sfidave në disa drejtime, si në sektorin e bujqësisë apo arteve humane, të dhënat flasin për një sistem arsimor dinamik, ku studentët po orientojnë zgjedhjet e tyre drejt degëve që ofrojnë më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi profesional.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat