Analiza Postuar më 11 Shkurt 2026, 13:13

Banesat në Europë, ku qëndron Tirana? Kryeqyteti mbetet një nga alternativat më të përballueshme

Nga Eldiona Serani

Banesat në Europë, ku qëndron Tirana? Kryeqyteti mbetet një

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë vijon me një çmim mesatar prej rreth 1,500 euro për metër katror, ndërsa mesatarja e përgjithshme arrin në rreth 1,800 euro për metër katror. Kjo diferencë reflekton ndikimin e pronave premium në zonat qendrore, ku kërkesa mbetet e lartë, veçanërisht në Bllok dhe pranë Liqenit Artificial.

Apartamentet e vogla në këto zona shiten më shtrenjtë për metër katror për shkak të ofertës së kufizuar dhe interesit të fortë, përfshirë edhe nga emigrantët. Në krahun tjetër, apartamentet më të mëdha dhe më të vjetra në periferitë si Astiri apo Lapraka ofrohen me çmime më të ulëta për metër katror, për shkak të distancës nga qendra dhe standardeve më të vjetra të ndërtimit.

Kur krahasohet me kryeqytetet europiane sipas të dhënave nga Global Property Guide, Tirana mbetet dukshëm më e përballueshme. Në qytete si Berlini, Milano dhe Madridi, çmimet për metër katror variojnë nga 5,300 deri në 5,700 euro, ndërsa në qytete si Amsterdami dhe Oslo ato kalojnë 9,000 euro. Parisi arrin 9,678 euro për metër katror, Londra 8,466 euro, ndërsa Zyrihu dhe Luksemburgu renditen ndër më të shtrenjtët me mbi 18,000 dhe 11,000 euro për metër katror. Gjithashtu vlen të përmendet se në këto qytete dhe pagat dhe mirëqënia e qytetarëve mbetet e lartë.

Edhe disa nga kryeqytetet e Ballkanit mbeten më të shtrenjta sesa Tirana ku  Sofja ka koston e  2,310 eurove dhe Beogradi 3,341 euro për metër katror. Kjo tregon se, krahasuar me shumë tregje europiane, Tirana ofron çmime më të përballueshme, veçanërisht për investitorët dhe blerësit me kapital të gatshëm.

Ndryshe nga shumë kryeqytete të Bashkimit Europian, ku ritmi i rritjes së çmimeve është ngadalësuar për shkak të normave të larta të interesit dhe politikave të kufizuara të kreditimit, Tirana mbetet më e qëndrueshme, duke u mbështetur kryesisht në blerjet me kapital të gatshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat