Analiza Postuar më 24 Shkurt 2026, 12:38

A do i nxjerrë rivlerësimi pronat bosh në treg? 33% e banesave në vend, të pabanuara. Procesi mund të gjallërojë sektorin

Nga Scan TV

A do i nxjerrë rivlerësimi pronat bosh në treg? 33% e banesave

Me hyrjen në fuqi të ligjit për rivlerësimin e pasurive, pronarët shqiptarë kanë tani mundësinë të regjistrojnë dhe rivlerësojnë pronat e tyre me normë tatimore 5%, deri në fund të vitit 2026. Ky proces, përtej rritjes së ndjeshme të transaksioneve, kursimit të familjeve qe duan të shesin pronën e tyre apo edhe arkës së shtetit, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e pronave bosh, duke nxitur shitjet dhe përdorimin e pronave që aktualisht qëndrojnë të pabanuara në të gjithë vendin. Për një pronar që ka një banesë bosh dhe nuk po e përdor, kjo ulje i bën më të leverdishme shitjen apo përdorimin e saj sepse tatimi nuk do ta rëndojë transaksionin.

Për shembull, në qarkun e Vlorës, ku më shumë se gjysma e banesave janë të pabanuara, rivlerësimi mund të jetë katalizatori që pronarët të investojnë në riparime, qira ose shitje, duke nxitur lëvizjen e kapitalit në tregun lokal.

Sipas të dhënave nga INSTAT, nga 1 milion e 82 mijë banesa ekzistuese në Shqipëri, rreth 33% prej tyre rrijnë bosh. Qarku i Vlorës ka pjesën më të lartë të banesave të pabanuara, me 52.2%.

Mbi mesataren kombëtare, përqindje të larta të banesave të pabanuara kanë edhe Durrësi, Gjirokastra dhe Lezha, të cilat qëndrojnë ndërmjet 35% dhe 43%. Qarqet e tjera kanë përqindje më të ulëta, ku mund të veçojmë kryeqytetin, i cili ka numrin më të madh të njësive të banimit dhe përqindjen më të ulët të banesave bosh. Sipas strukturës, përqindja më e lartë e banesave të pabanuara rezulton në pallate, me rreth 40%.

Fenomeni shpjegohet me disa faktorë: emigracionin, investimet në prona për qëllime kursimi, ndërtimet për turizëm sezonal, si dhe mbajtjen e pasurive jashtë tregut për arsye fiskale apo pritshmëri për rritje të mëtejshme të çmimeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat