Analiza Postuar më 11 Qershor 2026, 10:54

400 milionë euro investime të huaja në fillim të vitit/ Flukset u rritën me 11.8% në tremujorin e parë, prekin rekord historik

Nga Xhorxhina Deda

400 milionë euro investime të huaja në fillim të vitit/

Investimet e huaja direkte në Shqipëri vijuan rritjen edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, fluksi i investimeve arriti në 403.9 milionë euro, me një rritje prej 11.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ecuria e këtij viti konfirmon prirjen pozitive të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare, të cilat kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, flukset e investimeve janë rritur me mbi 35%, ndërsa niveli aktual është gati trefishi i atij të regjistruar një dekadë më parë.

Një rol të rëndësishëm në këtë ecuri vazhdojnë të luajnë fitimet e riinvestuara nga kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri. Në tremujorin e parë të vitit 2026 ato arritën në 206.2 milionë euro, duke përbërë më shumë se gjysmën e fluksit total të investimeve të huaja direkte. Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të realizuara në vend po riinvestohen në ekonomi, në vend që të transferohen jashtë.

Në të njëjtën kohë, edhe kapitalet e reja të investuara shënuan rritje të ndjeshme. Injektimet e reja të kapitalit arritën në 183.3 milionë euro, rreth 25% më shumë krahasuar me një vit më parë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e investimeve të huaja.

Investimet e huaja direkte mbeten një nga burimet kryesore të financimit të ekonomisë shqiptare dhe një faktor i rëndësishëm për hyrjen e valutës në vend. Së bashku me turizmin dhe remitancat, ato kanë kontribuar në përmirësimin e bilancit të pagesave dhe në forcimin e ofertës së euros në tregun vendas gjatë viteve të fundit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat