Lajme Postuar më 13 Janar 2026, 18:11

“Sterilizimi”, jo më PPP/ Krijohet shoqëria shtetërore, me kapital fillestar 200 mln lekë

Nga Fabjona Pasho

“Sterilizimi”, jo më PPP/ Krijohet shoqëria

Procesi i sterilizimit tashmë nuk do të ofrohet nëpërmjet Partneritetit Publik Privat.

Qeveria ka miratuar ngritjen e një shoqërie aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”,  OSHIS sh.a, me kapital 100% shtetëror.

Sipas vendimit, OSHIS sh.a. do të ofrojë kundrejt pagesës shërbime që mbulojnë të gjithë ciklin e sterilizimit në sallat kirurgjikale. Shërbimet fillojnë nga setet e personalizuara të instrumenteve kirurgjikale sterile dhe materialet sterile njëpërdorimëshe, te veshjet sterile, ripërpunimi dhe sterilizimi me avull dhe me temperatura të ulëta, si edhe trajtimi i mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimi i ambienteve.

 Një nga pikat kyçe është edhe menaxhimi dhe administrimi i Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT, si dhe digjitalizimi i menaxhimit, ndjekjes dhe raportimit të këtij shërbimi.

Operatori shtetëror do t’u shërbejë të gjitha spitaleve publike universitare, rajonale dhe bashkiake në Shqipëri, ndërsa mund të ofrojë edhe shërbime shtesë për subjekte të tjera publike apo private, sipas statutit dhe ligjit. Të gjitha tarifat do të arkëtohen nga vetë OSHIS sh.a., dhe të ardhurat do të përdoren për veprimtarinë e saj, duke ruajtur karakterin e shërbimit publik.

Kompania shtetërore ka një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, që përballohet nga fondet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga buxheti i vitit 2026.

Një tjetër element i rëndësishëm është kalimi pa pagesë” te OSHIS sh.a. i aseteve dhe të drejtave që i kthehen shtetit pas përfundimit të kontratës koncesionare të vitit 2015, të identifikuar në vendim si kontrata nr. 1440/40, datë 10.12.2015, për shërbimet e integruara të sterilizimit.

Ministria e Shëndetësisë ka 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit për të ndjekur procedurat e themelimit, miratimit të statutit dhe regjistrimit në QKB, si dhe për t’i siguruar shoqërisë mjediset e nevojshme për nisjen e aktivitetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat