Shqipëria Postuar më 15 Shtator 2025, 14:09

Zonat turistike, investime në rrjetin elektrik të Çukës - OSSH hap tenderin. Mbi 129 mln lekë për kabinat e reja dhe modernizimin e rrjetit

Nga Ernilda Luzi

Zonat turistike, investime në rrjetin elektrik të Çukës -

Drejtoria Rajonale e OSSH Gjirokastër ka hapur tenderin për zhvillimin e rrjetit të tensionit të mesëm 20 kV, kabina elektrike në zonën Çukë, Sarandë dhe ndërtim kabina të reja në fiderat 3, 6 qyteti Sarandë. Fondi limit i përllogaritur është 129 milionë e 633 mijë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky projekt parashikon projektimin dhe ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës të tensionit të mesëm 20 kV në zonën e Çukës, e cila furnizohet me energji elektrike nga nënstacioni 110/20 kV Sarandë. Më tej, ky projekt parashikon ndërtimin e 6 kabinave të reja tip Box; instalimin e rrjetit të tensionit të ulët me kabllo vetëmbajtëse nga Nënstacioni 110/20 kV Sarandë, si dhe modernizimin e infrastrukturës ekzistuese për të përmbushur kërkesat në rritje për energji elektrike. Ky fider do të mbulojë zonën e Çukës, një zonë turistike në zhvillim të shpejtë, duke garantuar furnizim të pandërprerë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.

Zona e Çukës është pjesë e Bashkisë Sarandë. Ajo përbën një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik dhe, së fundmi po përjeton një zhvillim intensiv urban dhe ndërtimor. Këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, duke tejkaluar kapacitetet aktuale të rrjetit shpërndarës. Për këtë arsye, është e domosdoshme ndërhyrja me rikonstruksion dhe shtim të kapaciteteve të infrastrukturës elektrike, në mënyrë që të garantohet një shërbim cilësor për konsumatorët ekzistues dhe të përmbushen kërkesat e pritshme afatgjata të zonës.

Ky projekt është në përputhje me strategjinë e zhvillimit dhe përmirësimit të rrjeteve elektrike të ndërmarrë nga kompania OSSH, e cila synon ndër të tjera edhe normalizimin e ngarkesave në linjat e tensionit të mesëm (TM) dhe të ulët (TU).

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat