Shqipëria Postuar më 26 Korrik 2025, 10:42

Zjarret në vend, 29 vatra në 24 orët e fundit - Ministria e Mbrojtjes: 13 vatra aktive, 6 nën monitorim

Nga Ernilda Luzi

Zjarret në vend, 29 vatra në 24 orët e fundit - Ministria e

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e zjarreve në vend, ku pëgjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 13 vatra janë ende aktive dhe 6 vatra janë nën monitorim.

Vatrat janë evidentuar në Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Delvinë, Selenicë, Elbasan, Peqin, Dimal, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Tiranë, Fier e Kukës. Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri, ku është përqendruar edhe puna e forcave operacionale:

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, në perimetrin e djegur ka prezencë të vogël tymi, pasi digjen trungje brenda tij dhe kjo vatër mbahet në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e plotë të zjarrit.

Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, në Delvinë zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe janë përshkuar 10 banesa, ku po vijon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

Në Selenicë vazhdon aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ndodhet në një vijë të gjatë shtrirje të përhapur në kodrat në afërsi të fshatrave Velc - Ramic - Verbas – Matogjin. Ka prezencë të forcave operacionale, por për shkak të terrenit nuk mund të ndërhyjnë. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Zjarre aktive mbeten edhe në fshatin Fushëbardhë të Delvinës; “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë; në Mat; Bulqizë; Elbasan, Lezhë; Mirditë; Korçë; Devoll; Pogradec; Berat dhe në Kukës. Në vendngjarje ndodhen forcat operacionale, që po punojnë për neutralizimin e saj

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 485 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 140 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura e 2 helikopterë hungarezë.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se, të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara në të gjithë territorin e vendit, në ndjekje të situatës së krijuar nga zjarret. Në këto ditë me temperatura ekstreme, qytetarët duhet të njoftojnë autoritetet vendore në rast të konstatimit të vatrave të zjarrit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat