Shqipëria Postuar më 27 Mars 2025, 21:03

Zhvillimi i gjelbër dhe i qëndrueshëm -Qeveria miraton kredinë 113.6 milionë euro

Nga SCAN TV

Zhvillimi i gjelbër dhe i qëndrueshëm -Qeveria miraton

Në mbledhjen e saj të fundit qeveria ka miratuar në parim marrëveshjen e huasë mes Shqipërisë dhe BERZH, për pjesën e dytë të programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër”. Kjo është një kredi, në shumën 113.6 milion euro që do të përdoret për politikat e zhvillimit. Pjesa e parë e kësaj kredie prej 110.8 milionë euro është kaluar me ligj të posaçëm nga Kuvendi në korrik 2023.

Sipas marrëveshjes kredia është marrë në formën e mbështetjes buxhetore, pra shkon e tëra për financimin e përgjithshëm të buxhetit të shtetit dhe deficitit të përgjithshëm. Kredia është nga Banka Botërore, pra është me terma koncesionarë, shumë më të lehta se termat tregtarë.

Termat janë konkretisht: maturim prej 18 vjetësh, duke përfshirë një pagesë principali prej 5 vjetësh dhe një interes të përcaktueshëm mbi bazën e tregut në momentin e disbursimit, bazuar në normën referencë euribor, me një marzh fiks prej 1,17%, gjithashtu një tarifë menaxhimi prej 0,25 % të huasë.

Po për çfarë do të përdoret kredia? Objektivat e këtij programi prej 2 kredishë janë: forcimi i qëndrueshëm i sektorëve; forcimi i kuadrit të tregut të energjisë, si dhe rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë; mbrojtja e mjedisit dhe minimizimi i ndikimit të ndryshimeve klimaterike.

Kjo përbëhet nga tri shtylla: shtylla e parë mbështetet zgjerimin e bazës tatimore për kthimin e mekanizmave për zbutjen e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, përmirësimin e qëndrueshmërisë së investimeve publike nga ndryshimet klimaterike dhe rritjen e efektivitetit të programeve të ndihmës sociale; shtylla e dytë mbështet rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe eficiencën e përdorimit të energjisë në sektorin publik; shtylla e tretë mbështet legjislacionin e ri për të minimizuar ndotjen, si dhe rregulloret për të vendosur një mekanizëm monitorimi, raportimi dhe verifikimi për gazrat serrë.

Përdoruesit e kredisë do të jenë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “AFTËSIA RIPËRTËRITËSE DHE ZHVILLIMI I GJELBËR – HUA E DYTË PËR POLITIKAT E ZHVILLIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër – hua e dytë për politikat e zhvillimit”, me një kredi, në shumën 113 600 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

Sondazh

Sa ju bindin programet ekonomike të partive për zgjedhjet e 11 majit 2025?

  • Janë të detajuara dhe të realizueshme
  • Kanë ide të mira, por mungojnë detajet e zbatimit
  • Janë premtime të parealizueshme

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video