Shqipëria Postuar më 9 Prill 2026, 10:02

Zgjerohet licencimi në energji elektrike - Përfshihet depozitimi, agregimi dhe pikat e karikimit. Ja kush përjashtohet nga detyrimi

Nga Ola Mitre

Zgjerohet licencimi në energji elektrike - Përfshihet depozitimi,

Ndryshimet e propozuara në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” parashikojnë zgjerimin e aktiviteteve që lidhen me licencimin dhe mbikëqyrjen nga Enti Rregullator i Energjisë.

Ndryshimet synojnë të përshtasin kuadrin ligjor me zhvillimet e reja në treg, duke përfshirë depozitimin e energjisë, agregimin dhe funksionimin e pikave të karikimit për automjetet elektrike.

Sipas draftit, në listën e veprimtarive që kërkojnë licencë shtohet operimi i hapësirave depozituese të energjisë elektrike. Ndërkohë, ERE do të ketë të drejtë të vendosë nëse do të licencojë edhe aktivitete të reja si operimi i pikave të karikimit dhe agregimi.

Drafti parashikon gjithashtu lehtësime për disa kategori operatorësh. Operatorët e sistemeve të depozitimit me kapacitet deri në 1 MW nuk do të kenë detyrim për licencë. Po ashtu, nuk do të kërkohet licencë për furnizim në rastet e rishitjes apo ndarjes së energjisë elektrike, por këto aktivitete do të zhvillohen mbi bazën e kushteve dhe çmimeve maksimale që do të përcaktojë ERE.

Një ndryshim tjetër lidhet me terminologjinë, ku “vetëprodhuesit” zëvendësohen me konceptin më të gjerë “klientët aktivë”, në përputhje me zhvillimet e tregut energjetik.

Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet reflektojnë zgjerimin e funksioneve të tregut të energjisë dhe synojnë krijimin e një kuadri më fleksibël për aktivitetet e reja, duke garantuar njëkohësisht mbikëqyrje dhe rregullim nga ana e ERE-s.

Ndërkohë që, legjislacioni nënligjor pritet të detajojë kushtet dhe procedurat për licencimin e këtyre aktiviteteve, si dhe kriteret për operimin pa licencë në raste të caktuara.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat