Shqipëria Postuar më 5 Gusht 2026, 10:16

Zgjerimi i nxjerrjes së naftës/ Albpetrol kërkon investitor për vendburimin Gorisht-Kocul, afati i aplikimeve deri më 2 nëntor

Nga Ola Mitre

Zgjerimi i nxjerrjes së naftës/ Albpetrol kërkon investitor

Shoqëria shtetërore Albpetrol ka hapur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e një kompanie që do të zhvillojë dhe prodhojë hidrokarbure në vendburimin ekzistues Gorisht-Kocul, një prej fushave tradicionale të prodhimit të naftës në vend.

Sipas njoftimit të publikuar, kompanitë e interesuara mund të aplikojnë për lidhjen e një Marrëveshjeje Hidrokarbure deri më 2 nëntor 2026, ndërsa një nga kushtet kryesore të procedurës është blerja paraprake e paketës së të dhënave teknike të vendburimit. Dokumentacioni duhet të dorëzohet në formë fizike pranë Albpetrolit në Patos.

Procedura është hapur pas urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që autorizoi fillimin e procesit për zhvillimin e vendburimit, ndërsa synon tërheqjen e investimeve të reja në një nga fushat ekzistuese të prodhimit të naftës në Shqipëri.

Sipas të dhënave të publikuara nga Albpetrol, vendburimi Gorisht-Kocul ka në inventar 284 puse, nga të cilët 142 janë aktivë për prodhimin e naftës dhe gazit. Thellësia e puseve varion nga 700 deri në 1 500 metra, ndërsa nafta e prodhuar klasifikohet si relativisht e rëndë, me peshë specifike 0.965 gr/cm³.

Të dhënat tregojnë se prodhimi i vendburimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit, me rreth 30–33 mijë ton naftë në vit. Gjatë vitit 2025 u prodhuan 29 243 ton, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 prodhimi ka arritur në 9 634 ton.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat