Shqipëria Postuar më 11 Maj 2025, 07:10

Zgjedhjet 2025/ Sa shtetas shqiptarë votojnë sot?

Nga Diamila Leka

Zgjedhjet 2025/ Sa shtetas shqiptarë votojnë sot?

Një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit demokratik, mbeten zgjedhjet, qoftë ato vendore apo parlamentare. Ky është një proces që përfshin miliona qytetarë dhe që, vit pas viti, kërkon jo vetëm saktësi të lartë, por edhe garantimin e transparencës dhe përfshirjes sa më të gjerë të publikut.

Për herë të parë këtë vit, lista zgjedhore pasqyron ndarjen e re administrative, duke përfshirë të gjithë shtetasit me të drejtë vote që banojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe ata që jetojnë jashtë vendit. Kjo përfshirje synon të forcojë themelet e demokracisë përmes një pjesëmarrjeje gjithëpërfshirëse të qytetarëve, pavarësisht vendndodhjes së tyre.

Por cilat janë shifrat zyrtare të votuesve shqiptarë?

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, numri total i shtetasve me të drejtë vote, brenda dhe jashtë vendit, është 3 milionë e 713 mijë e 761 në total. Ndër ta, 114 mijë e 642 janë zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 1 mijë e 81 shtetas janë të përjashtuar nga lista për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Brenda territorit të Shqipërisë, numri i votuesve arrin në mbi 3 milionë e 467 mijë.

Në këto zgjedhje, 245 mijë e 935 shtetas, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit do të ushtrojnë të drejtën e tyre përmes votës së diasporës. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë prodhuar 3 milion e 534 mijë fletë votimi, përfshirë një shtesë prej 2% mbi numrin e zgjedhësve. Në rang kombëtar, janë përcaktuar 5 mijë e 2 qind e 25 qendra votimi të shpërndara në mënyrë të baraspeshuar në të gjithë territorin.

Procesi i hartimit të listës zgjedhore është zhvilluar në disa faza, nën mbikëqyrjen e auditorëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëpërmjet publikimit të tre ekstrakteve të ndryshme, qytetarëve iu ofrua mundësia të verifikonin të dhënat e tyre dhe të kërkonin korrigjime aty ku ishte e nevojshme.

Në funksion të garantimit të një procesi të ndershëm dhe të sigurt, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile po vijon punën në terren, kryesisht në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe pajisjes së qytetarëve me dokumente të vlefshme identifikimi. Çdo zgjedhës duhet të jetë i pajisur me një nga dy dokumentet biometrike, letërnjoftimin elektronik ose pasaportën e vlefshme, të vetmet dokumente të pranueshme për të votuar.

Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore “IdentiTek”, është angazhuar maksimalisht për të përmbushur të gjitha standardet teknike dhe ligjore të një procesi zgjedhor transparent dhe të besueshëm. Publikimi i listës përfundimtare dhe të saktë, përfaqëson një hap vendimtar për ditën e zgjedhjeve, një ditë kur qytetarët mbajnë në duar jo vetëm një fletë votimi, por edhe përgjegjësinë për të ndikuar në të ardhmen politike të vendit.

Roli i Policisë së Shtetit dhe garantimi i rendit në ditën e zgjedhjeve është gjithashtu i rëndësishëm. Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Komisioni Rregullator ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për miratimin e rregullave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve”. Këto ndryshime synojnë të forcojnë rolin e Policisë si garant i rendit dhe neutralitetit zgjedhor, përmes detyrimit për ndërhyrje të menjëhershme në rast sinjalizimi, si dhe ndalimit të çdo veprimi kërcënues apo presioni në një perimetër prej 150 metrash përreth qendrave të votimit.

Gjithashtu, vendimi parashikon ndalimin e çdo pranie të paautorizuar pranë qendrave të votimit, për të shmangur presionin ndaj zgjedhësve. Ky akt rregullator vjen si përgjigje ndaj rekomandimeve të organizatave të shoqërisë civile dhe të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, për të adresuar shqetësimet mbi praninë e paautorizuar të individëve në ose pranë ambienteve zgjedhore, si dhe për të përmirësuar zbatimin e rregullave ekzistuese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat