Shqipëria Postuar më 8 Shkurt 2025, 10:54

Zgjatet afati i huasë 400 mln euro me BQE - Banka e Shqipërisë: Siguri rezervë në rast krizash financiare

Nga Ledina Elezi

Zgjatet afati i huasë 400 mln euro me BQE - Banka e Shqipërisë:

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka zgjatur afatin e huasë së kolateralizuar në Euro (REPO) me Bankën e Shqipërisë deri në 31 janar 2027, me të njëjtat kushte si më parë.

Në vitin 2020, Banka e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje me Bankën Qendrore Evropiane, sipas së cilës Banka jonë do të kishte akses në një linjë likuiditeti në vlerën e pandryshuar maksimale të huasë  400 milionë euro të Bankës Evropiane. 

Por, çfarë nënkupton konkretisht kjo?

Në rast se sistemi financiar i vendit tonë përjeton një krizë, Banka e Shqipërisë mund të marrë 400 milionë euro hua nga Banka Qendrore Evropiane për të përballuar krizën.

Në qoftë se Shqipëria përballet me probleme likuiditeti, si për shembull mungesë eurosh në sistemin e saj bankar, ajo mund të përdorë këtë marrëveshje për të marrë euro nga Banka Qendrore Evropiane.

Marrëveshjet repo, të quajtura ndryshe të riblerjes, janë marrëveshje ku Banka e Shqipërisë, apo bankat qendrore të vendeve të tjera, marrin valutë të huaj për një periudhë të caktuar në këmbim të aktiveve financiare që shërbejnë si kolateral për Bankën Qendrore Evropiane. Në maturim, Banka e Shqipërisë shlyen monedhën e marrë hua plus një normë interesi të rënë dakord me kontratë.

BQE-ja u ofron euro bankave qendrore që nuk janë pjesë e Eurozonës dhe merr si kolateral asete financiare me cilësi të lartë në euro.

Pavarësisht se deri tani, përdorimi i kësaj linje likuiditeti nuk ka qenë i nevojshëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet mbështetës për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në kuadër të pasigurive të shtuara që vijnë nga vazhdimi i luftës në Ukrainë, apo tensionet në Lindjen e Mesme, si dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonominë botërore dhe tregjet financiare.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat