Shqipëria Postuar më 25 Qershor 2025, 11:04

“Zbehet” interesi i investitorëve të huaj? - BSH: Investimet ranë me 14% në krahasim me fundin e vitit 2024

Nga Ledina Elezi

“Zbehet” interesi i investitorëve të huaj? - BSH:

Duket se në tremujorin e parë të këtij viti, Shqipëria ka qenë më pak tërheqëse për investitorët e huaj. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se investimet nga jashtë kanë pësuar një rënie me 14% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Konkretisht, fluksi i investimeve të huaja direkte në janar-mars u regjistrua në 362 milionë euro nga 423 milionë që ishte në fund të 2024. Megjithatë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet e huaja u rritën me 2.3%.

Por, cilët janë sektorët që përthithin më tepër investime?

Investimet rezultojnë me rënie në pothuajse të gjithë sektorët. Megjithatë, pasuritë e paluajtshme vijojnë të jenë aktiviteti ku përqendrohen pjesa më e madhe e investimeve të huaja, ndjekur më pas nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit. E thënë ndryshe, rreth 29% e investimeve janë në pasuri të paluajtshme, 21% në aktivitete financiare dhe të sigurimit, 14% në industrinë nxjerrëse, nga 9% e investimeve rezultojnë në industri përpunuese dhe tregti me shumicë e pakicë, riparim i automjeteve apo motoçikletave.

Pavarësisht se investimet në sektorin e ndërtimit regjistrohen në një masë tepër të vogël në krahasim me sektorët e tjerë, ato rezultojnë të kenë pasur tkurrjen më të madhë në bazë tremujore, ndjekur nga aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, apo shërbime administrative dhe mbështetëse.

Statistikat zyrtare tregojnë se investimet në aktivitete të pasurive të paluajtshme zbritën në 104 milionë euro në tre muajt e parë të 2025, një rënie me 5.4% në krahasim me tremujorin e fundit 2024. Ndërkohë, fluksi i investimeve të huaja direkte në aktivitetet financiare dhe të sigurimit u regjistrua në 75 milionë euro dhe në industrinë nxjerrëse 51 milionë euro.

Aktivitetet që janë pak ose aspak tërheqëse për investitorët nga jashtë, rezultojnë të jenë arsimimi, bujqësia, pyjet, peshkimi, akomodimi, shërbimi ushqimor, shëndeti, aktivitete të punës sociale, arte, argëtim dhe çlodhje.

“Zbehet” interesi i investitorëve të huaj? - BSH: “Zbehet” interesi i investitorëve të huaj? - BSH:

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat