Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2025, 12:16

Zbardhet projektvendimi i ISSH për pensionet - Pas rivlerësimit me koeficientët e rinj pagat referuese rriten me 8.6%

Nga Ada Hazizolli

Zbardhet projektvendimi i ISSH për pensionet - Pas rivlerësimit me

Të gjitha pagat referuese përpara vitit 1994, për efekt të llogaritjes së pensioneve, do të rivlerësohen me koeficientin 13.397 duke njohur një rritje mesatarisht me rreth 8.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka miratuar projektvendimin “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar për llogaritjen e pensioneve”. SCAN TV ka siguruar një kopje të dokumentit, që shumë shpejt pritet të kalojë për miratim edhe në Qeveri.

Këto indekse, siç vihet në dukje edhe në relacion do të zbatohen për të gjithë pensionet me datë lindje të drejte nga data 01.01.2025 ndërsa për pensionet me datë lindje të drejte deri në datën 31.12.2024, e gjithë masa e pensionit që përbëhet nga shuma bazë dhe nga shtesa, indeksohet sipas indeksit vjetor të çmimeve të mallrave të konsumit.

“Duke rritur dhe bazën e vlerësuar individuale, për të gjithë personat që e drejta për pension i’u lind nga data 01.01.2025, nga kjo datë e në vazhdim do të arrihet të përllogariten të jepen pensione mujore që janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e paguara dhe që vetëm për shkak të tyre mund të jenë më të larta së më parë”, thuhet më tej në relacion.

Konkretisht, pas rivlerësimit me koeficientin 13.397 paga maksimale bëhet 110, 123 nga 100.752 që ishte një vit më parë, ndërsa paga minimale nga 30.225 lekë bëhet 33.037 lekë duke njohur në këtë mënyrë një rritje me rreth 8.6 për qind. Kjo do të thotë rrjedhimisht edhe pensione më të larta për ata të cilët mbushin moshën e daljes në pension këtë vit.

“Ky koeficient do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë persona që do të aplikojnë për pensione të reja deri në fund të vitit  2025, si dhe në vitet e ardhshme, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura”, thuhet më tej në dokument.

Thënë kështu, një qytetar që ka punuar në transport dhe ka marrë 3233 lekë në muaj, paga mbi bazën do t’i llogariten kontributet do të jetë paga e rivlerësuar, që do të thotë (3233 X 13.397) 43.312 lekë në muaj.

Por, ndërsa për pagat para ’94-ës koeficienti që aplikohet është i unifikuar, për pagat pas ’94-ës koeficientet janë të ndryshme. Kjo jo pa qëllim, duke qenë se edhe niveli i pagave është i ndryshëm. Kështu për vitin 1995, koeficienti është 10.781, për pagat e vitit 1996 është 8.365, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë.

Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.990, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.673 e kështu me radhë deri në vitin 2023. Për dy vitet e fundit, pra për 2024 dhe 2025 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë.s

“Metodika përcakton që çdo vit, paga vjetore individuale të indeksohet me koeficientin vjetor të indeksimit që llogaritet si raport i kontributit mesatar për një  person të siguruar, të derdhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Pra është ecuria e rritjes nga viti në vit e kontributit mesatar vjetor të paguar nga një person, ajo që përcakton masën e indeksit. Me fjalë të tjera masa e pensioneve të ardhshme varet në radhë të parë nga kontributet individuale, por edhe nga ecuria e rritjes së kontributit mesatar nga një vit në tjetrin. Formula e përcaktimit të pensionit fillestar, e reformuar në vitin 2014 fokuson thellimin e parimit kontributiv të sistemit të pensioneve”.

Skema për llogaritjen e pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 9800, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara.

Zbardhet projektvendimi i ISSH për pensionet - Pas rivlerësimit me Zbardhet projektvendimi i ISSH për pensionet - Pas rivlerësimit me

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat