Shqipëria Postuar më 1 Qershor 2026, 14:56

“Ylli”, asistenti virtual për fermerët - Salla: Monitorim, informacion në kohë reale për tregun dhe subvencionet

Nga Fabjona Pasho

“Ylli”, asistenti virtual për fermerët - Salla: Monitorim,

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi “YLLI”-n, asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar të bazuar në Inteligjencën Artificiale, pjesë e Portali të Fermerit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se transformimi digjital është tashmë një domosdoshmëri për sektorin bujqësor, përballë sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike, rritjen e kostove të prodhimit, konkurrencën në treg dhe nevojën për përmbushjen e standardeve europiane.

“Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030 nuk është thjesht një vizion strategjik, por një program konkret transformimi për mënyrën se si prodhojmë dhe zhvillojmë bujqësinë shqiptare në vitet që vijnë. Objektivi ynë është i qartë, të ndërtojmë një bujqësi më produktive, më konkurruese, më të formalizuar, më transparente dhe më të integruar me Bashkimin Europian. Sot jemi duke prezantuar një nga elementët që do të jetë asistenti i çdo fermeri në çdo telefon. ‘YLLI’ është asistenti i parë dixhital i fermerit shqiptar, i bazuar në inteligjencën artificiale. Ai është gjithmonë gati për të ofruar asistencë të menjëhershme dhe praktike për fermerët, duke dëgjuar, komunikuar dhe kthyer përgjigje në kohë reale në gjuhën shqipe”, deklaroi Salla.

Ministri bëri të ditur se përmes portalit do të publikohen në kohë reale edhe çmimet e tregjeve dhe të pikave të grumbullimit, ndërsa shtoi se digjitalizimi do të shtrihet edhe në monitorimin e parcelave përmes sensorëve inteligjentë, të cilët do të ofrojnë informacion në kohë reale.

“Përmes aplikacionit, fermerët do të mund të orientohen, të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin dhe të marrin çdo informacion të nevojshëm në nivel kombëtar. Duke pasur parasysh problematikat dhe ankesat e fermerëve në raport me pikat e grumbullimit, nga ky moment do të jenë online edhe çmimet e publikuara nga këto pika”, theksoi ai.

Gjatë aktivitetit, ministri Andis Sala vuri theksin te roli i të rinjve dhe teknologjisë në zhvillimin e bujqësisë moderne, ndërsa në përmbyllje u demonstrua live funksionimi i Portalit të Fermerit dhe asistentit virtual “Ylli”, përmes një aplikimi në kohë reale nga një fermere për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat