Shqipëria Postuar më 28 Prill 2026, 17:14

Vlora, me hub energjetik/ Bashkëpunim me SHBA-në, nënshkruhet marrëveshja për gazin e lëngshëm natyror

Nga Ola Mitre

Vlora, me hub energjetik/ Bashkëpunim me SHBA-në, nënshkruhet

U nënshkrua në Kryeministri, Memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe Marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.  Në ceremoninë e nënshkrimit merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Kakaraçi, ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Në fjalën e tij, Kakaraçi tha se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme, mbështetur në qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë.

“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, – u shpreh ai.

Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Guilfoyle  tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.

“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, – u shpreh ndër të tjera Guilfoyle.

Ndërkaq, Rama tha se ajo çfarë e bën veçanërisht të fuqishëm partneritetin midis Shqipërisë dhe Shteteve e Bashkuara të Amerikës është natyra gjithëpërfshirëse e këtij partneriteti që kombinon sigurinë afatgjatë të furnizimeve, zhvillimin e infrastrukturës kritike, ekspertizën e sektorit privat dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik ndaj qëndresës energjetike.

“Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve dhe kjo është diçka që vërtetë na bën shumë krenarë dhe na bën të ndihemi shumë të nderuar”, - tha Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat