Shqipëria Postuar më 5 Tetor 2025, 14:00

Vlora çliron hapësirat nga mjetet e konfiskuara, Koçiu: Pushteti vendor do t’i kthejë në zona zhvillimi

Nga Scan TV

Vlora çliron hapësirat nga mjetet e konfiskuara, Koçiu:

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga Vlora ku kanë qenë të pranishëm Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja i shoqëruar nga nënkreytari i Bashkisë Vlorë si dhe drejtorin vendor të Policisë në një inspektim në Vlorë.
Teksa ka ndarë pamjet Rama është shprehur se po vijon puna për lirimin e hapësirave publike.

“Vlorë - Vazhdon puna e pandërprerë për lirimin e hapësirave publike, të përdorura prej vitesh si pika grumbullimi për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara, të cilat janë kthyer në gangrena mjedisore dhe do të rilindin si parqe apo kënde sportive”, sqaroi Rama.

Ndërkohë Koçiu u shpreh se:
Në fakt, që prej fillimit të muajit shtator, së bashku me AAPSK, kemi nisur një fushatë mbarëkombëtare për të pastruar të gjitha këto pika, të cilat zënë një sipërfaqe të konsiderueshme në të gjithë territorin e vendit, për t’i sistemuar, për të seleksionuar të gjitha ato mjete, që aktualisht kanë prej vitesh të depozituara. Siç mund ta shikoni, janë plotësisht jashtë funksionit."

Koçiu sqaroi se për automjetet të cilat mund të vendoseshin në funksion, do ishin në përdorim të shtetit, teksa shtoi se aksioni i ndërmarrë po ndodh për t’i sjellë zonës përfitime për komunitetin.

Në vijim të këtij aksioni është që t’i shndërrojmë këto zona në jo vetëm të pastra por edhe zona që mund t’i përdorim fare mirë pushteti vendor për të hartuar plane zhvillimi, për t’i kthyer komuniteteve në zona kënd lojrash apo argëtimi për fëmijët, por jo vetëm edhe për t’u përdorur nga institucionet publike.”

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se nevoja për të ndërhyrë ishte emergjente.

Është shumë e rëndësishme sidomos për një pikë si kjo në Nartë, shumë pranë komunitetit të banorëve dhe shumë pranë zonave turistike dhe pranë një aksi transporti që do të rehabilitohet dhe ka të bëjë me projektin e hekurudhës se re dhe ndërlidhjes së Vlorës me aeroportin. Duke pastruar zonën nga kjo situatë e ngarkuar prej disa dekadash, ne fillojmë rehabilitimin, duke biseduar edhe me kryetarin, nevoja ishte emergjente që për një pjesë, bashkia të mund ta rikuperonte hapësirën dhe sipërfaqen në zonat e banuara. Nga ana tjetër të fillonte një përdorim normal duke ditur që siguria patjetër që cenohet në këto zona, edhe mjedisi, pa dyshim, sepse kemi të bëjmë me materiale që rrinë e degradohen, sidomos me një zonë të pyllëzuar siç është këtu. Do të kemi një periudhë disamujore ku mund të fillojmë evadimin progresiv, besoj se keni një plan se si do të ecë kjo”, sqaroi Vengu.

Kryeadministratorja Xhaja informoi se qarku i Vlorës ka 8 pika grumbullimi të mjeteve.

"Kjo është pika e përqendruar, më e madhe. 5 pika janë në Sarandë, 1 në Delvinë, 1 në Himarë dhe kjo është në Vlorë dhe është një ndër pikat më të mëdha në rang vendi. Nga evidentimi që ka bërë DVP Vlorë, janë 2,124 mjete e motomjete, të sekuestruara e të konfiskuara, njëkohësisht edhe prova materiale, nga të cilat 1,400 shkojnë për skrap, pra lirohet pothuaj 80% e sipërfaqes. Pjesa tjetër janë të konfiskuara e do vlerësohet për t’iu kaluar institucioneve dhe ato që janë prova materiale, jemi në kontakt me Prokurorinë e Përgjithshme, të mbyllen si çështje dhe t’u japim një drejtim edhe atyre", theksoi Xhaja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat