Shqipëria Postuar më 25 Qershor 2025, 13:03

“Vërshojnë” investimet turke në Shqipëri - BSH: 50 mln euro në tremujorin e parë 2025. Zbresin nga “froni” holandezët

Nga Ledina Elezi

“Vërshojnë” investimet turke në Shqipëri - BSH:

Jo vetëm me të shkuarën historike, kulturën apo kinematografinë, por Turqia lidhet ngushtë me Shqipërinë edhe për sa i përket investimeve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në një vlerë prej 50 milionë eurosh, investimet nga Turqia kanë dominuar në tremujorin e parë të 2025.

Investitorët turq rezultojnë të kenë zbritur nga froni ata holandezë, të cilët rezultojnë me 49 milionë euro investime në Shqipëri.

Shifrat zyrtare tregojnë se 13.8% e investimeve të huaja direkte vijnë nga Turqia, rreth 13.5% nga Holanda, 12.7% e investimeve janë nga Italia, 8.6% Austria, 7.7% janë nga Gjermania, 7% rezultojnë investime nga Kosova, 3% nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në 19% të investimeve nuk tregohet vendi i origjinës për arsye konfidencialiteti.

Në shumicën prej shteteve më të mëdhaja investitore në Shqipëri, ka pasur një rënie të fluksit të investimeve në tre muajt e parë të 2025. Kështu, edhe pse Turqia dominon aktualisht, ka pasur një rënie me 5.6% në krahasim me fundin e vitit 2024. Investimet nga Holanda janë pakësuar me 15%, ndërsa ato nga Italia, i cili është investitori i tretë më i madh në Shqipëri me 46 milionë euro investime, rezultojnë me një rënie prej 11%.

Megjithatë, investimet e Emirateve të Bashkuara Arabe, Greqisë dhe Serbisë nuk kanë ndryshuar në raport me tremujorin pararardhës, ndërsa vetëm investimet prej Qipros, Gjermanisë, Norvegjisë, Panamasë dhe Sllovenisë rezultojnë me rritje. Konkretisht,  investimet gjermane u shtuan me gati 22% në tremujorin e parë.

Nga ana tjetër, investimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u regjistruan në nivelet më të ulëta që prej 2022.

“Vërshojnë” investimet turke në Shqipëri - BSH:

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat