Shqipëria Postuar më 16 Korrik 2025, 15:03

Vengu: Qendër Rajonale e Emergjencave Civile në Bushat

Nga Edel Strazimiri

Vengu: Qendër Rajonale e Emergjencave Civile në Bushat

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në Bushat, ku ish-reparti i ndërlidhjes do të rindërtohet tërësisht për t’u shndërruar në Qendrën Rajonale të Emergjencave Civile për të gjithë Qarkun e Shkodrës.

I shoqëruar nga prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ministri Vengu inspektoi nga afër ambientet të cilat do të përdoren për ngritjen e kësaj qendre.

“Jemi duke vlerësuar një sërë asetesh të amortizuara të Forcave të Armatosura për qëllime civile dhe ushtarake. Këtu kemi përcaktuar këtë repart për të zhvilluar një funksion të ri të një Qendre Rajonale të Emergjencave Civile”, tha Vengu.

Emergjencat civile, sipas ministrit Vengu janë një kompetencë e përbashkët e disa institucioneve ndaj për ta përforcuar më shumë kapacitetin e bashkive po ndërtohet kjo qendër rajonale.

Vengu theksoi se Qendra Rajonale e Emergjencave Civile do t’i shërbejë zonës së Shkodrës dhe Lezhës.

“Qendra rajonale ka të gjithë kapacitetet për të mbështetur të dyja qarqet sidomos në zonën midis Shëngjinit dhe Velipojës ku kemi një turizëm gjithëvjetor në mënyrë që jo vetëm t’i japi, mundësi bashkive të reagojnë për fatkeqësi të tilla siç janë zjarret gjatë sezonit veror, por edhe të përballemi me kërkesa shtesë shtesë që vijnë nga fluksi i turizmit gjithëvjetor”, shtoi ai.

Vengu bëri të ditur se ky repart ishte lënë në harresë prej vitesh dhe tani është momenti për ta vënë në funksion. “Sa herë kërkohet mbështetje nga ajri detyrohen mjetet ajrore që të rikthehen për furnizim në bazat e tyre. Me këtë i japim mundësinë mjeteve ajrore që të furnizohen në këtë qendër”, u shpreh Vengu.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat