Shqipëria Postuar më 8 Tetor 2025, 19:07

Vendimet e Qeverisë, miratohet Programi Kombëtar i Lehtësirave në Aviacionin Civil

Nga SCAN TV

Vendimet e Qeverisë, miratohet Programi Kombëtar i

Qeveria  ka marrë në mbledhjen e sotme të datës 8 tetor 2025 një sërë vendimesh të rëndësishme mes të cilave edhe  Miratimin e Programit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil dhe organizimin e funskionimin e Komitetit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim ndër vendimet e tjera të Këshillit të Ministrave janë:

-Miratimin e disa ndryshime në vendimin nr.598, datë 1.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin  e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar”

 -Autorizimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si themeluese e fondacionit “CulturAlb”

Ky fondacion ka si qëllim ruajtjen, prodhimin, ekspozimin, promovimin, marketimin, shitjen e suvenireve e të produkteve të tjera artistike, promovimin e trashëgimisë kulturore materiale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe çdo veprimtari tjetër të parashikuar në statut dhe në aktin e themelimit.

-Lejimin e paraqitjes jashtë shtetit, në ekspozitën “Demokracia nëpërmjet ligjit”, pranë muzeut “Doge’s Apartments at Palazzo Ducale”, në Venecia, Itali, për periudhën 11 tetor 2025 deri më 6 janar 2026, si pjesë e veprimtarive zyrtare në kuadër të përvjetorit të 35-të të Komisionit Evropian për demokracinë nëpërmjet ligjit, organizuar në bashkëpunim ndërmjet Zyrës Italiane të Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias, Superintendencës Arkivore dhe Bibliografike të Venetos dhe Trentino-Alto Adige-s, Arkivit Shtetëror të Venecias, fondacionit “Musei Civici di Venezia” dhe Këshillit Rajonal të Venetos, të dokumenteve të mëposhtme, pjesë e Fondit Arkivor të Republikës së Shqipërisë:

a) Ligji nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” (40 faqe);

b) Dekreti nr.2241, datë 21.10.1998, i Presidentit të Republikës, “Për shpalljen me referendum të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”  (1 faqe);

c) Dekreti nr.2260, datë 28.11.1998, i Presidentit të Republikës për shpalljen e ligjit (1 faqe).

2. Dokumentet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi dërgohen jashtë dhe rikthehen brenda vendit në periudhën ndërmjet datave  1 tetor 2025 – 15 janar 2026

 

Gjithashtu janë bërë disa ndryshime në përbërjen e institucioneve.

-Z. Arben Çuko, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.

-Z. Anduel Xhindi emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.

-Z. Plator Nesturi, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.

-Znj. Evis Allushi emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.

 

 

V E N D I M

PËR 

MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË LEHTËSIRAVE 

NË AVIACIONIN CIVIL DHE ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E KOMITETIT KOMBËTAR TË LEHTËSIRAVE NË AVIACIONIN CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 129, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Programit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Për zbatimin e këtij programi ngrihet Komiteti Kombëtar i Lehtësirave në Aviacionin Civil (në vijim, Komiteti), i cili përbëhet nga:

a) drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil – kryetar;

b) një përfaqësues i nivelit i mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për transportin – anëtar;

c) drejtori i drejtorisë përgjegjëse për migracionin nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme – anëtar;

ç) drejtori i drejtorisë përgjegjëse për lëshimin e pasaportave nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme – anëtar;

d) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit – anëtar;

dh) drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave – anëtar;

e) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale – anëtar;

ë) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për turizmin – anëtar;

f) një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural – anëtar;

g) përfaqësuesi i përzgjedhur nga operatorët ajrorë, që operojnë në         Shqipëri – anëtar;

gj) përfaqësuesi i përzgjedhur nga operatorët e shërbimeve të përpunimit në tokë në aeroportet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë – anëtar;

h) drejtorët ekzekutivë të enteve menaxhuese të aeroporteve në Shqipëri.

3. Komiteti mblidhet dy herë në vit me njoftim të kryetarit. Komiteti mund të mbajë mbledhje ad-hoc kurdo që konsiderohet e nevojshme, me qëllim rishikimin e situatës së lehtësirave dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet që mund të hasen.

4. Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë ekspertë me njohuri specifike dhe që mund të përbëjnë një interes të veçantë për të.

5. Komiteti ka një sekretar, i cili është punonjës i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe është përgjegjës për kryerjen e të gjitha përgatitjeve administrative për mbledhjet e Komitetit në bashkëpunim me kryetarin.

6. Data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen me shkrim anëtarëve të Komitetit të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara mbledhjes.

7. Për çdo mbledhje, sekretari i Komitetit mban procesverbal dhe e shpërndan tek anëtarët e Komitetit brenda 15 ditëve nga përfundimi i mbledhjes.

8. Ngarkohen Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Komiteti Kombëtar i Lehtësirave në Aviacionin Civil për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat