Shqipëria Postuar më 9 Prill 2025, 12:14

Velipoja dhe Ulqini me lidhje të re energjetike? - ERE: Projekti parashikon ndërtimin e linjës 110 kV me gjatësi 27 km

Nga Dorian Koça

Velipoja dhe Ulqini me lidhje të re energjetike? - ERE: Projekti parashikon

Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar së fundmi marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e urës së re mbi lumin Bunë, që do të shkurtojë rrugën nga plazhi i madh i Ulqinit deri në Velipojë. E ndërsa tashmë pritet nisja e punimeve për këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, një tjetër investim mes dy vendeve duket në horizont.

Lidhja e dy qyteteve turistike edhe me një linjë energjetike. Referuar raportit më të fundit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ndërtimi i linjës 110 kV Kufi – Velipojë është pjesë e një linje të re që është ideuar të ndërtohet dhe që do të lidhë nënstacionet e Ulqinit me nënstacionin e ri të Velipojës. Linja 110 kV që do të ndërtohet do të jetë afërsisht 27 km e gjatë dhe përfshin segmentin nga kufiri deri në nënstacionin e Velipojës, për të vazhduar me instalimin e qarkut të dytë deri në nënstacionin e Bushatit.

Sipas ERE, ky segment është pjesë e linjës së re Ulqin-Velipojë 110 kV, e cila do të vazhdojë më tej në linjën ekzistuese Velipojë-Bushat, ku do të realizohet edhe lidhja e kësaj linje. Enti Rregullator vlerëson, se pjesa e linjës nga nënstacioni Velipojë deri në Bushat, që shtrihet në territorin shqiptar, është një segment i ndërtuar me shtyllëzim për rrjet 110 kV, çka krijon mundësinë praktike për shfrytëzimin e saj dhe mundëson konkretisht, në këtë rast, që të vihet në funksion qarku i dytë me të gjithë elementët përkatës për nivelin e tensionit 110 kV nga Velipoja në nënstacionin e Bushatit.

“Për sa më sipër, kjo ndërhyrje konsiderohet një bashkëpunim midis dy operatorëve të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi, për ndërtimin e kësaj linje, me një angazhim proporcional”, nënvizohet në raportin e ERE.

Zonat e Ulqinit dhe Velipojës janë me potencial të madh turistik dhe sigurimi i infrastrukturës energjetike do të garantonte ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në këto zona. Gjithashtu, kjo ndërhyrje do të nxisë investimet e reja në sektorin e hotelerisë dhe infrastrukturën turistike, duke rritur numrin e bizneseve të vogla dhe të mesme, dhe duke gjallëruar në këtë mënyrë ekonominë lokale, veçanërisht në drejtim të shtimit të prodhimeve bujqësore, blegtorale, etj.

Sipas Entit Rregullator, realizimi i kësaj linje do të sjellë, ndër të tjera, edhe plotësimin e kushtit të sigurisë statike për kriterin n–1 për Ulqinin në këtë fazë, dhe në një fazë të dytë, me zgjerimin e nënstacionit të Velipojës, futjen në unazë edhe të këtij nënstacioni.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat