Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2026, 14:52

Varfëria energjetike, jo vetëm kompensim financiar - Mbështetje për banesat, Sauku: Investime që ulin koston dhe rrisin cilësinë e jetës

Nga Ola Mitre

Varfëria energjetike, jo vetëm kompensim financiar - Mbështetje

Termoizolim i banesave, zëvendësim i dyerve dhe dritareve, pajisje me eficiencë energjie apo sisteme më eficiente ngrohjeje. Këto janë disa nga ndërhyrjet që synojnë të mbështesin familjet në kushtet e varfërisë energjetike, pas miratimit të Planit Kombëtar të Veprimit për periudhën 2026–2030. Sipas ekspertëve, dokumenti i miratuar për herë të parë nga qeveria, synon që mbështetja të mos kufizohet vetëm te kompensimi financiar i faturave të energjisë, por të shtrihet edhe te investimet që ulin konsumin dhe kostot e familjeve në afatgjatë.

“E para është mbështetja jo vetëm monetare, por edhe duke identifikuar kushtet në të cilat jetojnë. Vetë ligji parashikon mbështetjen në termoizolimin e shtëpive, në ndryshimin e dyerve dhe dritareve nëse nuk janë në kushte optimale, shkon deri në pajisjet me eficiencë energjie, pra nëse janë të vjetra sistemet e ngrohjes, vetë ligji thotë nëse shtëpitë ngrohen me soba druri shumë të vjetruara, atëhere parashikohen investime në sisteme eficiente ngrohje për këto familje. Pra, janë masa shumë të mira dhe të cilat shkojnë dhe në linjë me ligjin e eficiencës së energjisë”, - shprehet Arion Sauku, nga organizata Milieukontakt.

Varfëria energjetike nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me nivelin e ulët të të ardhurave, ndaj dhe miratimi i Planit të Veprimit do të sjellë edhe një zgjerim të përfituesve, që deri më sot kufizoheshin kryesisht te përfituesit e ndihmës ekonomike. 

“Varfëria energjetike nuk do të thotë vetëm të jesh i varfër. Do të thotë që familjet të mos kenë mundësi të krijojnë kushtet optimale për ngrohjen dhe ftohjen e shtëpisë. Nëse faturat e energjisë elektrike tejkalojnë 20-30% të të ardhurave dhe më pas një familje nuk ka mundësi të ketë shpenzime për ushqimet bazë, apo për arsim, apo për shëndetësi, kjo familje do të kategorizohet si familje në kushtet e varfërisë energjetike”, - shprehet Sauku.

Pikërisht identifikimi i këtyre familjeve është një nga hallkat kryesore për zbatimin e planit, ndërsa për të garantuar aplikimin me sukses, sfidë mbetet gjetja e financimit.

“E para duhet të fillojë me identifikimin në terren, mund të identifikohen dhe nga qendrat shëndetësore, sepse shumica e këtyre familjeve kanë një akses tek qendrat lokale shëndetësore. Aty mund të jetë filtri i parë dhe më pas mund të orientohen tek bashkitë të cilat nëpërmjet programeve orientohen këto familje se si mund të aplikojnë dhe se si mund të mbështeten me fonde. Këto janë në nivel lokal dhe në nivel qendror është patjetër koordinimi, bërja e mundur e financimit të këtyre familjeve dhe updatimi vit pas viti i familjeve që bien në kushtet e varfërisë energjetike”, - thotë eksperti.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat