Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2025, 10:37

Ushtria, si u arrit kapërcimi i buxhetit në 2% të PBB? - Për 2025 u planifikuan 527 milionë euro për mbrojtjen

Nga Elisabeta Dosku

Ushtria, si u arrit kapërcimi i buxhetit në 2% të PBB? - Për

Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin mbrojtjes, ku për herë të parë në vitin 2024, janë akorduar fonde që arrijnë nivelin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projeksionet e qeverisë janë që kjo rritje të jetë e përvitshme, ku brenda 10 vitesh synohet të arrihet niveli 2.8 % i Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjatë vitit të kaluar Këshilli i Ministrave dërgoi për miratim në Kuvend dy dokumenta “Planin afatgjatë të zhvillimit të forcave të armatosura 2024-2033” dhe “Strategjinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë”.

Referuar strategjisë, Forcat e Armatosura do të sigurojnë dhe rrisin kapacitetet e tyre operacionale nëpërmjet modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të tyre, për të garantuar mbrojtjen kombëtare dhe për të përmbushur detyrimet në kuadër të mbrojtjes kolektive.

Në Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë theksohet se “në përmbushje të detyrimeve nën nenin 3 të Traktatit të Uashingtonit dhe në zbatim të vendimit të marrë nga krerët e vendeve aleate në Samitin e NATO-s në Vilnius 2023, do të synohet që buxheti i Mbrojtjes të jetë jo më pak se dy për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe shpenzimet për investime dhe pajisje e armatime të jenë në 20 për qind të buxhetit të Mbrojtjes, sikurse është pranuar edhe në Deklaratën e Samitit të Uellsit”.

Ndërkohë, në  buxhetin e vitit 2025, mbrojtjes iu akorduar një buxhet prej  52.7 miliardë lekë ose 4.4 miliardë lekë më shumë se në 2024. Kjo rritje e fondit reflektohet edhe në peshën që zë buxheti dedikuar kësaj ministrie krahasimisht me PBB-në. Këtë vit fondi përbën 2.01% të PBB-së, ndërkohë që në vitin 2024 zinte 2% të PBB.

Prioritet në buxhet kanë forcat e luftimit, të cilat zënë  më shumë se gjysma e fondit total ose në vlerë absolute përkthehet në 28.8 miliardë lekë dhe 8.3 mld lekë do të shkojnë për mbështetjen e luftimit. Po ashtu me rëndësi paraqitet edhe zëri “mbështetja sociale për ushtarakët" dhe "emergjencat civile" që zënë 9.9% dhe 10.4% të fondit total që i dedikohet kësaj ministrie. Në të kundërt vetëm 1.5 miliardë lekë ose 3% e totalit u projektuan për planifikim dhe menaxhim.

Ministria e Mbrojtjes synon të përmbushë reformat e nisura dhe realizimin e detyrave kushtetuese të Forcave të Armatosura (FA), angazhimeve ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, angazhimeve të FA në kuadër rajonal dhe në aftësitë trajnuese të vetë FA.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat