Shqipëria Postuar më 26 Mars 2025, 17:33

“Ulja e çmimit të energjisë ndikoi inflacionin”- Ekonomia, Sejko: Në trajektore pozitive zhvillimi, por lufta tregtare mund ta dëmtojnë

Nga Ola Mitre

“Ulja e çmimit të energjisë ndikoi inflacionin”-

Ulja e çmimit të energjisë me 10.5% për konsumatorët familjarë është një nga faktorët që ka ndikuar në rënien e inflacionit në 2 muajt e parë të vitit. Në konferencën për shtyp për vendimmarrjen monetare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha ndër të tjera se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi dhe se edhe projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Megjithatë, sipas guvernatorit, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të lehtë në dy muajt e parë të vitit 2025, duke qëndruar në nivelin mesatar prej 1.9%. Rënia e inflacionit u diktua nga ecuria e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara dhe ulja e çmimit të energjisë për konsum familjar. Ndonëse jo të plota, të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat, kanë ardhur në rritje gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni qëndron në nivele të ulëta, tregjet financiare shfaqen të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje të shpejtë e të qëndrueshme”,- tha Sejko.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ende i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%”, - tha Sejko.

Ndryshimi i fundit i normës bazë të interesit u bë në nëntor në vitit që shkoi. 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat