Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2025, 12:25

Ujësjellësit rritën të ardhurat - ERRU inkurajon unifikim tarifash, por jo në të gjitha shoqëritë rajonale

Nga Ola Mitre

Ujësjellësit rritën të ardhurat - ERRU inkurajon unifikim

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve realizuan mbi 11.3 mld lekë të ardhura gjatë vitit 2024, apo 983 mln lekë më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit sektori arriti të mbulojë mbi 107% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes, duke treguar një përmirësim të qëndrueshëm financiar në raport me vitin 2023. Megjithatë, situata nuk është e njëjtë për të gjitha shoqëritë, pasi vetëm 5 nga 17 shoqëri arritën të mbulojnë mbi 100% kostot, ndërsa 12 kompanitë e tjera vijojnë të varen nga subvencionet e qeverisë.

Ndërkaq, pavarësisht përmirësimeve, sektori përballet me sfida të mëdha, si borxhet e trashëguara, mungesa e stafit të kualifikuar dhe dokumentacioni i mangët financiar. Ndaj Enti Rregullator i Ujit inkurajon unifikimin e tarifave, në të gjithë zonën e re të shërbimit. Enti thotë se për disa nga shoqëritë rajonale tarifat janë të përafërta nga zona në zonë, prandaj unifikimi tarifor është i mundshëm, por pranon se në disa zona ky proces duhet të bëhet gradualisht për të mos rënduar konsumatorët.

Raste të tilla janë Shoqëria Rajonale Durrës apo Korçë, ku unifikimi tarifor paraqet vështirësi për shkak të diferencave të mëdha tarifore të trashëguara nga shoqëritë e mëparshme.

“Në këto raste, aplikimi i menjëhershëm i tarifës unike do të sillte rritje të ndjeshme të faturave për një pjesë të konsumatorëve, gjë që mund të ndikojë negativisht në normën e arkëtimit për shkak të refuzimit të pagesave.Pra në vend që të përmirësonte gjendjen financiare të shoqërisë, do ta përkeqësonte atë. Në këtë rast, unifikimi tarifor duhet të realizohet në mënyrë graduale duke vlerësuar gjendjen rast pas rasti”, - vlerëson ERRU.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat