Shqipëria Postuar më 24 Mars 2025, 10:43

Ujësjellësit përmirësuan eficiencën e energjisë - Kostot e larta për furnizimin me ujë, treguesi u ul në 0,58 kWh/m³

Nga Ola Mitre

Ujësjellësit përmirësuan eficiencën e energjisë -

Shoqëritë e ujëjsjellësve kanë përmirësuar lehtë treguesin e eficiencës së energjisë, duke ulur kostot e furnizimit me ujë. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Ujit, gjatë vitit 2024 ky tregues rezultoi në 0.58 kWh/m³, nga 0,65 kWh/m³ që ishte një vit më parë.

Sipas ERRU-së, përmirësimi i treguesit ka ardhur nga ulja e konsumit me rreth 5 milionë kWh, pas investimeve të reja në pompa si dhe i rënies së volumit të ujit të prodhuar me ngritje mekanike.

Po ashtu, në disa raste përmirësimi ka ardhur si rezultat i rakordimeve të bëra nga shoqëritë ujësjellës - kanalizime me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për faturime të pasakta.

Kostot e energjisë janë një shqetësim për shoqëritë e ujësjellës – kanalizime, që lindin si pasojë e humbjeve fizike, por edhe cilësisë së pompave të përdorura prej tyre. Për pasojë shumë prej kompanive përballen me fatura të larta dhe të papërballueshme për financat e tyre, duke akumuluar borxhe ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Ndërkaq, edhe Rezoluta e vitit 2024 i linte detyrë Entit Rregullator të Ujit t’iu kërkonte ujësjellësve të bënin një studim mbi eficiencën e energjisë në sistemet e furnizimit me ujë, duke u fokusuar në përdorimin e burimeve alternative të rinovueshme nga këto shoqëri.

Në këtë kuadër, ERRU raporton se energjia edhe për vitin 2024 mbeti zëri i dytë i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes pas atyre të punës. Ndaj, sipas Entit në mënyrë të vazhdueshme i është kushtuar vëmendje e veçantë këtij zëri të kostos duke e analizuar në detaje, sidomos në momentin kur shoqëritë UK aplikojnë për nivel të ri tarifor.

“Në këtë kontekst, ERRU jep edhe rekomandimet përkatëse për secilën shoqëri UK individuale mbi masat e nevojshme që duhen ndërmarrë prej tyre për përmirësimin e eficiencës së energjisë, duke konsideruar edhe burimet alternative të saj”, - bën me dije Enti.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat