Shqipëria Postuar më 27 Qershor 2025, 10:04

U blenë 33.20 mln euro nga tregu valutor - A u zbut indirekt forcimi i lekut? BSH organizoi për herë të parë një ankand me afat tremujor

Nga Ledina Elezi

U blenë 33.20 mln euro nga tregu valutor - A u zbut indirekt forcimi i

Me qëllim rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë ka blerë 33.20 milionë euro gjatë 3 muajve të parë të 2025.

Banka Qendrore mban një rezervë valutore për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit, si dhe mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit.

Sikurse ishte lajmëruar në fund të vitit 2024, Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande për blerjen e valutës, ku në përputhje me objektivin e zhvillimit të tregut, njëri prej tyre kanë qenë me opsionin FORWARD, pra përmes një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje.

Për herë të parë, Banka e Shqipërisë ka organizuar një ankand të blerjes së valutës me afat tremujor, kundrejt afatit njëmujor të përdorur në vitet e fundit.

Në tre ankandet e zhvilluara gjatë periudhës, janë blerë 33.20 mln euro me një mesatare 11.07 mln, kundrejt mesatares prej 14.20 mln euro gjatë vitit 2024. Shuma e blerë ka qenë pak më e lartë me shumën e blerë në tre ankande në të njëjtën kohë një vit më parë prej 32.60 mln euro, duke treguar se pjesëmarrja relativisht më e ulët e bankave lidhet me faktorë sezonalë.

Banka e Shqipërisë synon që gjatë këtij viti të blejë nga bankat tregtare 270-350 mln euro, rreth 20 milionë euro më shumë se në 2024. Sipas kalendarit të ndërhyrjeve, numri më i madh i ankandeve është planifikuar në tremujorin e dytë dhe të tretë, atëherë ku flukset e euros janë më të larta, si rezultat i të ardhurave nga turistët.

Kjo prani e madhe e euros në treg ka sjellë shumë luhatje në kursin e këmbimit, me euron që është zhvlerësuar dhe një forcim të madh të lekut. 1 euro ka vijuar të këmbehet me më pak se 100 lekë, ndërsa vetëm në 30 janar do të kishte një barazim të dy monedhave.

Për të blerë euro nga bankat tregtare, Banka e Shqipërisë paguan lekë, duke rritur kështu ofertën e lekut në treg. Pra, megjithëse nuk ishte ndërhyrje direkte për të frenuar rënien e euros, blerje të tilla ndikojnë zakonisht indirekt në zbutjen e kursit të këmbimit. Në këtë rast, blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë nuk kanë pasur ndikim të madh në stabilizimin e kursit të këmbimit.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat