Shqipëria Postuar më 20 Shkurt 2026, 13:34

Turizmi shqiptar po tërheq kapitalin e huaj - Nga Alpet, te marinat. Pole zhvillimi që synojnë kapitalin e huaj

Nga Diamila Leka

Turizmi shqiptar po tërheq kapitalin e huaj - Nga Alpet, te marinat. Pole

Zhvillimi i turizmit në Shqipëri po kalon nga një model spontan në një qasje të strukturuar, i cili duhet të mbështetet mbi katër destinacione prioritare, duke nisur nga Alpet shqiptare, vija bregdetare e jugut si dhe portet e marinat, por pa harruar edhe Tiranën. Kjo ndarje nuk është vetëm gjeografike, por ekonomike, e cila synon diversifikimin e produktit turistik dhe uljen e riskut për investitorët. Por cilat janë avantazhet që Shqipëria ka për investimet në turizëm? Nga pikëpamja ekonomike, Shqipëria paraqet tre avantazhe kryesore, treg në rritje, kosto konkurruese dhe hapësirë të pashfrytëzuar.

Së pari, tregu është ende në fazë zhvillimi. Kjo do të thotë se norma e penetrimit të investimeve në segmente si turizmi malor, marinat turistike apo resortet e standardit të lartë mbetet e ulët krahasuar me vende të rajonit si Greqia apo Kroacia. Për investitorët, kjo përkthehet në potencial më të lartë rritjeje dhe marzh fitimi në afat mesatar. Së dyti, struktura e kostove mbetet konkurruese. Çmimet e tokës, kostot operative dhe fuqia punëtore janë relativisht më të ulëta, ndërkohë që kërkesa turistike është në rritje. Kjo krijon një raport më të favorshëm midis investimit fillestar dhe kthimit të pritshëm.

Së treti, strategjia e katër poleve redukton sezonalitetin, një nga rreziqet kryesore në turizëm. Alpet shqiptare synojnë turizmin e aventurës dhe natyrës gjatë gjithë vitit, Jugu i Ri, i mbështetur nga aeroporti i ri, rrit aksesin dhe kapacitetin e fluksit, portet dhe marinat synojnë segmentin e turizmit detar me shpenzim të lartë, ndërsa Tirana konsolidohet si qendër për turizëm urban, kulturor dhe biznesi.

Zhvillimi i pikave të reja portuale krijon një dimension të ri ekonomik, duke integruar Shqipërinë në hartën e turizmit detar mesdhetar. Ky segment karakterizohet nga konsum i lartë për vizitor dhe efekt zinxhir në ekonomi, nga shërbimet portuale te gastronomia dhe pasuritë e paluajtshme. Për investitorët e huaj, kombinimi i potencialit natyror, fazës së hershme të zhvillimit dhe përmirësimit të infrastrukturës krijon një dritare mundësie. Në një kontekst rajonal konkurrues, vendi po përpiqet të pozicionohet jo thjesht si destinacion turistik, por si një treg investimi me kthim të lartë potencial dhe hapësirë për projekte strategjike afatgjata.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat