Shqipëria Postuar më 4 Shtator 2025, 13:39

“Turizmi, prioritet do të jetë cilësia” - Rama: Ksamili e Dhërmiu, plazhe publike. Jo më muzikë në beach bare

Nga Diamila Leka

“Turizmi, prioritet do të jetë cilësia” - Rama:

Sektori i turizmit do të jetë me piketa të reja për Shqipërinë Turistike 2030. Kryeministri Edi Rama, tha se prioritet nuk do të jetë sasia, por cilësia e vizitorëve. Nuk kurseu as kritikat për zaptuesit e bregdetit, ndërsa i cilësoi si “plazhe të dhunuara”.

“Rritja në numër për ne, nuk është më prioriteti i parë. Prioriteti i prioriteteve është rritja e cilësisë, dhe rritja e numrit të turistëve dhe vizitorëve që konsumojnë më shumë këtu.

Ne duhet, të shërojmë plazhet e dhunuara. Nuk ka arsye më, që plazhi publik i Ksamilit të jetë një plazh privat.

 Plazhi i Dhërmiut, nuk ka më nevojë fare, të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera, për të vendosur çadra, për të vendosur shezlongë, dhe për të vendosur beach bare që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe që hedhin ujërat e zeza në det. Kështu që ne do ta ndalojmë muzikën, nuk do të ketë më muzikë në beach bare.”

Teksa deklaroi shifrat pozitive të sezonit turistik, ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, theksoi se po bëhet gati një platformë e re e integruar e turizmit.

“Shqipëria Turistike 2030, do të ketë një instrument të ri që është platforma e integruar digjitale e turizmit. Me tre elementë kryesor: regjistrin kombëtar digjital të turizmit për të gjitha sipërmarrjet turistike. Platformën digjitale e-visitor, për regjistrimin elektronik dhe gjurmimin në kohë reale të visitorëve në strukturat akomoduese dhe çdo aktivitet tjetër të sektorit dhe e treta, një sistem të integruar të mbledhjes dhe analizimit të statistikave në sektorin e turizmit, përmes sistemit të të dhënave në turizëm.”

Gjatë fjalës së saj, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shpreh se për të përballuar flukset turistike, infrastruktura do të vijojë të jetë prioritet, si dhe bëri të ditur tarifat në tunelin e Llogarasë.

“Çmimi i një kalimi në tunel për autoveturat është 250 lekë me TVSH. Dhe duhet thënë, që sigurisht kategoritë më të mëdha, siç janë autobusët, trailerat dhe gjithçka tjetër, do të kenë çmime të posaçme.

Falë një pune të mirë dhe orgnizimi që është bërë nga të gjitha strukturat, nesër paradite në orën 11, Qukës-Qafë Plloça, bëhet e totalisht e aksesueshme për automjetet, totalisht e përfunduar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka përfunduar një studim të mirëfilltë dhe projektim të asaj zone, dhe ne do të nisim me emergjencë, ndërtimin e në bypass-i përfundimtar, i cili është prej 3 km, me nyje interkoneksioni me segmentin nga Bradashesi deri në Lekaj. Duke krijuar kështu mundësinë që vitin tjetër, gjatë sezonit mos të kemi trafik në atë zonë.”

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi se për Shqipërinë 2030, është parashikuar një program i gjerë investimesh në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare.

“Gjatë këtij viti do të themelojmë Fondacionin Publik “CulturAlb”, i cili synon fuqizimin e prodhuesve tradicionalë dhe ekonomisë kreative vendore. Ky instrument do të garantojë një rrjet klientele ekskluzive brenda dhe jashtë vendit, duke gjeneruar turizëm, punësim dhe duke e bërë kulturën tonë edhe më të prekshme.”

Por, fokusi i qeverisë do të jetë edhe gjelbërimi i Shqipërisë, ndërsa kryeministri Rama paralajmëroi edhe reformime në inspektoratet e territorit.

“Turizmi, prioritet do të jetë cilësia” - Rama:

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat