Shqipëria Postuar më 21 Janar 2026, 13:17

“Turizmi nxiti ekonominë shqiptare” - KE: Shembull stabiliteti çmimesh në rajon. Eksportet e mallrave vuajnë nga leku i fortë

Nga Ledina Elezi

“Turizmi nxiti ekonominë shqiptare” - KE: Shembull stabiliteti

Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, tre ekonomitë më të mëdha në rajon, ruajtën përgjithësisht të njëjtin ritëm të zgjerimit ekonomik në tremujorin e fundit të vitit 2025. Kosova regjistroi ngadalësimin më të fortë të rritjes, ndërsa Mali i Zi regjistroi një normë rritjeje pak më të ulët se në tre muajt e mëparshëm.

Sipas një raporti të Komisionit Evropian, Shqipëria regjistroi një rritje prej 3.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke lënë pas vende si Serbia dhe duke ecur pothuajse me të njëjtin ritëm si Maqedonia e Veriut.

Ky përparim u mbështet fuqishëm nga sektori i shërbimeve dhe turizmi, ku eksportet u rritën me mbi 17%. Megjithatë, jo çdo gjë shkëlqen në tregtinë e jashtme, ndryshe nga shërbimet, eksportet e mallrave pësuan një rënie drastike, duke reflektuar vështirësitë që po has prodhimi vendas përballë një leku gjithnjë e më të fortë.

Në krahasim me fqinjët, Shqipëria mban "flamurin" e qëndrueshmërisë së çmimeve. Me një inflacion prej vetëm 2.3%, vendi ynë ka koston më të ulët të jetesës në rajon, shumë larg shifrave të Kosovës që i kalojnë 5%. Kjo ka lejuar që norma e interesit të mbetet në nivelin e ulët 2.5%, duke u dhënë frymëmarrje bizneseve dhe familjeve, ndërkohë që vendet e tjera po përballen me kosto më të larta kredie.

Nga ana tjetër, ndonëse punësimi u rrit, Shqipëria ishte një përjashtim në rajon, pasi ishte i vetmi vend ku papunësia shënoi një rritje të lehtë vjetore, duke u ndalur në 9%. Megjithatë, një lajm inkurajues vjen nga të rinjtëm papunësia rinore ra ndjeshëm në 15%.

Në aspektin e financave publike, Shqipëria tregon një disiplinë që dallohet në rajon. Së bashku me Kosovën, vendi ynë arriti të mbajë një surplus buxhetor gjatë vitit 2025, ndërkohë që vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut panë përkeqësim të balancave të tyre. Borxhi publik shqiptar ka zbritur në 53.5%, një nivel shumë më i shëndetshëm se ai i Malit të Zi, që vazhdon të jetë më i larti në rajon.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat