Shqipëria Postuar më 30 Janar 2026, 19:14

Tregu i sigurimeve në zgjerim, rritja e përgjithshme në vitin 2025 ishte mbi 10 për qind

Nga SCAN TV

Tregu i sigurimeve në zgjerim, rritja e përgjithshme në vitin

Në vitin 2025 tregu shqiptar i sigurimeve është zgjeruar me më shumë se 10 për qind. Kjo del nga statistikat e publikuara sot nga Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sipas shifrave primet e shkruara bruto arritën vlerën e 27.1 miliardë lekëve, në rritje me 10.6% krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2024, rritja e tregut ka qenë më e ulët, vetëm 7%.

Primet e shkruara bruto vlerësohen sa 1.03% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 0.97% që kishte qenë një vit më parë. Edhe primi i sigurimit për frymë u rrit për të pestin vit radhazi duke shkuar rreth 119 euro, ose 11.8% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës dhe kryesisht sigurimet e detyrueshme motorike të cilat zënë 91% të primeve totale të tregut.

 

Në vijim shifrat e tregut të sigurimeve sipas AMF

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për vitin 2025

 

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2025 kapën vlerën 27,090  milionë lekë, ose 10.54% më shumë se në vitin 2024. Gjatë vitit 2025, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,676,640 me një rritje prej 5.07% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.99% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.99% dhe risigurimi me 0.025%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.38% të totalit të tregut.
Gjatë vitit 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 8,591 milionë lekë, ose 0.75% më pak se në vitin 2024.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për vitin 2025 kapën vlerën 6,537 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 4.78% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2025 arritën rreth 16,900 milionë lekë, ose 12.22% më shumë se në vitin 2024.
Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2025, pati një rritje prej 13.32% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.85% krahasuar me vitin 2024.
Produkti Karton Jeshil në vitin 2025 pati një rritje prej 8.19% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 3.99% krahasuar me vitin 2024.
Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2025, pati një ulje 0.64% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2024 dhe numri i kontratave u ul me 1.28%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2025 arritën rreth 10,191 milionë lekë, 7.88% më shumë se vitin 2024. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 10.00 % krahasuar me vitin 2024.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë vitit 2025, patën një rritje me 5.20% kundrejt vitit 2024.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë vitit 2025 siguruan mbi 4,179 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 67.63%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.63% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë vitit 2025, pati një rritje prej 10.25% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 8.85% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2024.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë vitit 2025, arritën në rreth 1,444 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 3.71% në krahasim me vitin 2024.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2025, arritën rreth 2,435 milionë lekë, ose 17.62 % më shumë se vitin 2024.

Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2025 u ulën me 0.75% krahasuar me vitin 2024. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 6,537 milionë lekë, apo 76.09% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Dëmi Mesatar i Paguar në sigurimin Motorik

Emërtimi
                              Vlerat (në 000 lekë)    Ndryshimi (në %)
                              Viti 2024  2025           25/`24-1
Dëmi mesatar
MTPL e brendshme        156    166            6.45
Karton jeshil                 892    621            (30.31)
Kasko                          113    116             2.50

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat