Shqipëria Postuar më 5 Shtator 2026, 12:09

Tregu I pasurive të paluajtshme ndryshon ritëm/ Zonat periferike vijojnë të kenë interes më të lartë për blerje pas pandemisë

Nga Eldiona Serani

Tregu I pasurive të paluajtshme ndryshon ritëm/ Zonat periferike

Në strukturën e tregut rezidencial të Tiranës, apartamentet vazhdojnë të jenë zgjedhja kryesore si për blerësit që kërkojnë banesë për të jetuar, ashtu edhe për ata që e shohin pronën si një investim.

Sipas Investropa periudha pas pandemisë solli një ndryshim të fortë në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme. Të ardhurat nga emigracioni, kërkesa për banesa, investimet private dhe interesimi për pasuritë e paluajtshme kontribuuan në rritjen e aktivitetit në treg.

Tirana, si qendra kryesore ekonomike e vendit, përfitoi më së shumti nga kjo dinamikë.Por në vitin 2026 situata duket më e matur. Çmimet vijojnë të kenë presion rritës, ndërsa blerësit janë më të kujdesshëm.

Ndërsa qendra tradicionale e Tiranës vijon të ketë një peshë të rëndësishme në treg, zhvillimi urban po shtyn gjithnjë e më shumë interesin drejt zonave periferike dhe atyre në zgjerim.Kjo vlen veçanërisht për zonat ku ndërtimi i ri dhe zhvillimi i infrastrukturës kanë ndryshuar karakterin e tregut.

Në këtë kategori hyjnë edhe zonat kodrinore dhe periferike si Farka, Sauku, Lundra, Kodra e Diellit dhe pjesë të Kasharit, ku struktura e ofertës është më e larmishme.Në këto zona, përveç apartamenteve, tregu përfshin edhe shtëpi private, vila, townhouse dhe prona të tjera me sipërfaqe më të mëdha.

Kërkesa për këto prona lidhet jo vetëm me blerësit që kërkojnë një banesë më të madhe, por edhe me ata që preferojnë një stil jetese më larg densitetit të lartë urban të qendrës së kryeqytetit.Ndryshe nga apartamentet, shtëpitë individuale dhe vilat përfaqësojnë një segment më të vogël dhe më të specializuar të tregut.

Vlera e tyre përcaktohet nga një numër shumë më i madh faktorësh. Përveç sipërfaqes së ndërtimit, rëndësi kanë toka, pamja, aksesueshmëria, infrastruktura, distanca nga qendra dhe standardi i ndërtimit.Në zona si Farka, Sauku dhe Lundra, prona të tilla mund të pozicionohen në një kategori krejt tjetër nga apartamentet standarde të tregut.

Kjo do të thotë se rritja e çmimeve në Tiranë nuk mund të interpretohet thjesht si një numër i vetëm për të gjithë tregun. Një apartament në një zonë të urbanizuar të kryeqytetit dhe një vilë në një zonë kodrinore i përgjigjen kërkesave dhe profileve të ndryshme të blerësve.

Çfarë pritet nga tregu gjatë 2026?

Tregu rezidencial i Tiranës duket se po kalon nga një periudhë e rritjes së shpejtë në një fazë ku diferencimi dhe selektiviteti do të kenë rol më të madh. E njëjta gjë vlen edhe për cilësinë e ndërtimit. Apartamentet në ndërtime moderne, me standarde më të larta dhe ambiente të mirëorganizuara, mund të ruajnë më mirë interesin në një treg ku blerësit kanë më shumë alternativa.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat